Pritet të arrijnë sot në Kosovë trupat e viktimave të aksidentit në Kroaci

PRISHTINË, 28 korrik/ATSH/- Trupat e pajetë të dhjetë bashkatdhetarëve tanë që humbën jetën në një aksident trafiku në Kroaci pritet të arrijnë këtë mëngjes në Kosovë.

Këtë lajm e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në një konferencë për media mbrëmë në Aeroportin e Prishtinës, ku tha se trupat e pajetë pritet të mbërrijnë sot në Kosovë.

“Po ashtu, pas të gjitha procedurave formale për transportimin e dhjetë viktimave kanë përfunduar dhe trupat e tyre janë duke ardhur në Kosovë dhe ne besojmë që herët në mëngjes do të mbërrijnë këtu. Besoj në orët e hershme të mëngjesit do të arrijnë në Prishtinë dhe pastaj do të dërgohen në familjet e tyre. Ju e dini që kemi një rast ku nënë e bijë kanë vdekur, do të thotë të gjithë do të përcillen në familjet e tyre për varrim”, tha Sveçla.

Ai tha se aksidenti i dielës ishte një moment i rëndë për të gjithë popullin e Kosovës, ndërsa ka falënderuar shtetin kroat për ndihmën e pakursyer në ndihmë të lënduarve.

Edhe ceremonia e varrimit pritet të mbahet sot.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.