Organizonin lojëra fati nëpërmjet celularit, arrestohen 2 shtetas

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ 2 shtetas janë vënë në pranga në Tiranë pasi organizonin lojëra fati nëpërmjet celularit.

Në kuadër të operacionit “Fati i lojërave” janë sekuestruar edhe 3 njësi kompjuteri, 1 aparat celular dhe një shumë parash.

Policia e Shtetit, njoftoi sot se, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë të kundërligjshme të lojërave të fatit, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në vijim të operacionit “Fati i lojërave”, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: I. K., 44 vjeç dhe Xh. I., 24 vjeç.

Këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në lokalin në pronësi të tyre, në rrugën “Studenti”, duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, me anë të aplikacioneve në celularët e tyre.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.