Izraeli lejon vaksinimin e nën 11-vjeçarëve për raste të veçanta

TEL AVIV, 28 korrik /ATSH-DPA/ – Fëmijët nga pesë vjeç mund të vaksinohen ndaj koronavirusit në raste të veçanta, deklaroi Ministria e Shëndetësisë e Izraelit.

Rregullat e reja do të zbatohen për fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç, të cilët janë veçanërisht të rrezikuar të sëmuren rëndë ose të vdesin nëse infektohen me koronavirus.

Kjo do të përfshinte fëmijët që vuajnë nga mbipesha dhe problemet me mushkëritë ose zemrën.

Një shënim për siguruesit shëndetësorë thotë se nuk flitet për një fushatë të plotë vaksinimi për fëmijët e kësaj moshe, por për ato kategori me rrezik.

Sidoqoftë, fëmijët e moshës 9 vjeç e lart aktualisht përbëjnë përqindjen më të lartë të popullatës izraelite që mbart virusin.

Sipas ministrisë, ata përbëjnë 10% të të gjithë të infektuarve.

Numri i rasteve të koronavirusit po rritet me shpejtësi në Izrael.

Dje ministria regjistroi 2 112 raste të reja, numri maksimal që nga mesi i marsit.

Shumica e rasteve të reja përfshijnë variantin e ri Delta të virusit, i cili transmetohet lehtë.

Mbi 57% e 9,3 milionë izraelitëve janë plotësisht të vaksinuar kundër virusit.

Sidoqoftë, vetëm rreth 32% e moshave midis 10-19 vjeç janë të vaksinuar.   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.