ITALI – Stuhitë e mëdha shkaktojnë rrëshqitje toke dhe përmbytje në veri

ROMË, 28 korrik /ATSH-DPA/ – Me dhjetëra operacione të ndërhyrjes së shpejtë u kryen sot nga forcat e emergjencave në veri të Italisë, pasi rajoni u përfshi sërish nga reshje shiu dhe stuhi të forta.

“Në lindje të Liqenit Maggiore, zjarrfikësit ndërhynë në 40 zona në provincën e Varese-s”, thanë forcat e shpëtimit.

Reshjet e dendura të shiut shkaktuan rrëshqitje toke dhe përmbytje në zonë.

Presidenti i Lombardisë, rajoni veçanërisht më i prekur nga stuhitë, kërkoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për disa provinca, përfshirë Varese-n, Como-n dhe Lecco-n.

Zjarrfikësit në provincën Como kryen më shumë se 100 operacione shpëtimi të martën, për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut.

Stuhitë, gjithashtu, shkaktuan probleme të mëdha edhe në rajonet e Veneto-s dhe Friuli-Venezia Giulia-s.

Për të enjten, autoriteti i Mbrojtjes Civile ka lëshuar ​​një paralajmërim të nivelit të lartë për pjesën veriore të Lombardisë, ku stuhi të forta pritet të godasin rajonin./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.