“Gati për Shqipërinë”, zhvillohet sesioni i 20-të i prezantimit të të rinjve aplikantë

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot sesionin e 20-të të bashkëbisedimit me aplikantë të nismës “Gati për Shqipërinë”.

Rama tha se “ky cikël sesionesh online sipas fushave, na mundëson njohjen me të interesuarit dhe eksplorimin së bashku të mundësive e formave të bashkëpunimit me ta. Ndërkohë aplikimet vazhdojnë të priten në adresën: [email protected]”.
“Sot është sesioni i 20-të i këtyre dëgjesave duam një prezantim të shkurtër më pas do të merrni nga zv/ministrja e Arsimit, Bora një mesazh me ditën e orën e takimit me titullarin e ministrisë apo agjencisë përkatëse”, – tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “bashkë me mua është zv.ministrja e Brendshme, Drejtorja e Përgjithshme të Administratës Publike, kryetarin e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese”.

“Ne çmojmë interesimin tuaj dhe besimin që ju na tregoni duke hedhur këtë hap për të provuar që të jemi së bashku”, – tha Rama.

Aplikantja e parë, Marsilda Memaj, ka mbaruar studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe ka titullin Doktoreshë Shkencash në Biologji molekulare.

“Kam një eksperiencë 10-vjeçare në arsim. Fusha ku doja të jepja kontributin tim është ajo e biologjisë molekulare”, – tha Memaj.

Aurora Nakaj u shpreh se “kam mbaruar studimet e larta në degën e Shkencave të aplikuara në Arkitekturë. Prej 10 vitesh kam qenë në funksion drejtues të zhvillimit urban dhe kam hartuar mjaft projekte dhe kërkoj të bashkëpunoj me ju”.

Ndërsa Piro Cenko, inxhinier hidroteknik, është i specializuar në fushën e furnizimit me ujë, kanalizimeve dhe veprave të pastrimit të ujërave. “Kontributi që mund të jap është sektori i shërbimit të ujit për popullatën”, – tha Cenko.

Ariola Cela, e cila ka përfunduar studimet në Norvegji dhe Portugali, shprehu dëshirën për të dhënë kontributin e saj në fushën e inovacionit.

Arsyela Vuçaj ka përfunduar studimet në degën Financë-Bankë shprehu dëshirën të japë kontribut në fushën e ekonomisë dhe të arsimit.

Aplikantja Adra Ivziku nga Shkodra tha se “kam mbaruar studimet master në Turqi dhe mendoj që njohuritë e fituara nga studimet dhe eksperiencat e mia jashtë vendit do të ishin të vlefshme për zhvillimin e arsimit shqiptar”.

Evanthi Suli, e cila ka mbaruar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë, shprehu dëshirën për të kontribuar në fushën e së drejtës dhe të administrimit publik.

Eriola Çela, e cila jeton në Zvicër, ka mbaruar studimet për Shkenca Politike. Ajo shprehu gatishmërinë për të kontribuuar në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë ose në atë të Drejtësisë.

Nikolin Andoni, i diplomuar për shkenca politike në vitin 2014 dhe master shkencor Etika në Institucione dhe Lidership, student ekselence, mendon se në këto fusha mund të shfaqë vlerat dhe aftësitë e tij.

Olsi Çobo, jeton në Amerikë prej gati 20 vitesh, ku ka qenë me forcat e Këmbësorisë me marinsat amerikanë. U diplomua me master në drejtësi kriminalistike. Eksperiencën e ka më shumë në Afganistan dhe në Irak. “Do të dëshiroja të kthehesha në Shqipëri dhe të punoja në shtetin tim”, tha ai.

Saimir Ismaili, i diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, master në ligj për biznesin, prej 8 vitesh operon në fushën e turizmit dhe ka kryer trajnime dhe specializime në shtete të ndryshme si Sllovenia dhe kërkon të japë kontributin e tij në fushën e turizmit.

Egla Zeraj, ka mbaruar Fakultetin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Ka mbaruar një master të avancuar në organizata europiane dhe ndërkombëtare në Francë, Gjermani dhe Itali. Eksperienca e saj është si në aspektin e marrëdhënieve me jashtë, edhe në sektorin e integrimit. “Ajo që unë do të sugjeroja do të ishte që ne të kemi mundësi për disa projekte shumë të mira, të cilat mund të shikohen në kuadrin ligjor në bashkëpunim me ministri të ndryshme siç mund të jetë Ministria e Jashtme, për të cilën unë do të kisha disa sugjerime sesi mund të menaxhohen projekte të vogla, por që mund të jenë shumë të mira për komunitetin”, tha ajo.

/k.s/gj.k./r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.