“Food4Health”, mbështetje fermerëve dhe prodhuesve të vegjël dhe të mesëm

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Zbatimi i projektit ndërkufitar Shqipëri, Itali, Mali i Zi, “Food4Health”, i financuar nga Bashkimi Evropian, nëpërmjet Instrumentit të Asistencës Financiare të Bashkëpunimit (Interreg), pritet të nxisë përmirësimin e zinxhirit të vlerës për produktet tipike lokale.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi gjatë vizitës zyrtare në Itali, u ndal edhe në Tricase, në qendrën e Institutit Agronomik Mesdhetar (CIHEAM), me të cilët në bashkëpunim me rajonin e Puglias, rajonin e Molises, Ministrinë e Bujqësisë dhe Universitetin e Marinës e Biologjisë në Malin e Zi, po zbatohet ky projekt.

“Pata mundësinë të shikoj nga afër implementimin e aktiviteteve që po ndërmerren në kuadër të qasjes të përbashkët rajonale për zhvillimin ekonomik të komuniteteve lokale. Me partnerët italianë dhe ata nga Mali i Zi, shkëmbyem eksperiencat e deritanishme, të cilat kanë si synim mbështetjen e fermerëve dhe prodhuesve të vegjël dhe të mesëm”, tha Ekonomi.

Përmes këtij projekti, vijoi ministrja, nxitet përmirësimi i zinxhirit të vlerës për produktet tipike lokale, duke i mbështetur ata në rritjen e konkurrueshmërisë dhe gjetjen e tregjeve të reja.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.