Balla pret ish-ministrin e Shtetit për Sigurinë në EBA

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla priti në një takim të veçantë në Elbasan, Obaid Alhairi Salem Alketbi, ish-ministër i Shtetit për Sigurinë të Emirateve të Bashkuara Arabe si dhe ish-komandant i Misionit Ushtarak të Emirateve të Bashkuara në Kukës e Kosovë.

Balla së bashku me Alketbi zhvilluan një takim me Qendrën e Bashkëpunimit Ndërfetar në Elbasan, një nga asetet e çmuara të këtij qyteti simbol të bashkëjetesës fetare ndër shekuj.

“Është krenari dhe përgjegjësi që Elbasani mban emrin ‘kryeqytet i bashkëjetesës fetare dhe vlerave të qytetarisë’.

Pata nderin t’i tregoj miqve nga Emiratet e Bashkuara kalanë e Elbasanit, aty ku më së miri janë të shprehura simbolet e bashkëjetesës fetare”, deklaroi Balla.

Gjatë qëndrimit në Elbasan, Balla dhe Alketbi zhvilluan një vizitë në dy objekte kulti, kishë dhe xhami, ndërsa ndanë mendime për bashkëpunime të mëtejshme mes dy vendeve.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.