1,158,303 vaksinime që prej fillimit të procesit

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Që nga fillimi i procesit të vaksinimit antikovd në vendin tonë janë kryer 1,158,303 vaksinime.

Shifra u bë e ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.
“507,623 qytetarë kanë marrë të dyja dozat dhe janë sot më të mbrojtur”, – tha Manastirliu, e cila publikoi një video nga procesi i vaksinimit të qytetarëve.

Një qytetare shprehet se “sapo kam bërë vaksinën e dytë dhe ndjehem shumë më e lehtësuar, pasi çfarëdo situate të kaloj, normalisht do ta kaloj shumë më lehtë sesa po të isha e pavaksinuar”.

“Të gjithë qytetarët kanë nevojë të vaksinohen që t’i vijë fundi kësaj pandemie sa më shpejt. Shpresoj që të gjithë qytetarët shqiptarë të bëjnë të njëjtën gjë që bëra unë sot”, – thotë një tjetër qytetar.

Një i ri inkurajon bashkëmoshatarët që të bëjnë vaksinën dhe mos ta neglizhojnë atë.

Mbi 67 mijë vaksina “Pfizer” mbërritën dy ditë më parë në aeroportin “Nënë Tereza”. Autoritetet shëndetësore intensifikuan apelin për vaksinimin e popullsisë, me hyrjen e variantit “Delta” në vend. MSHMS apeloi qytetarët të vaksinohen sa më parë, për të frenuar përhapjen e virusit të rrezikshëm. Vaksinat reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.