Zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes: Strukturat e mbrojtjes civile të jenë në gatishmëri

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Në vendin tonë gjatë muajit korrik ka pasur rritje të ndjeshme të zjarreve, si pasojë e thatësirës së krijuar nga kushtet e motit.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se “të gjitha kapacitetet dhe strukturat e Emergjencave Civile kanë punuar për normalizimin e tyre dhe janë në gatishmëri për përballimin e çdo situate emergjente të mundshme”.

Sipas ministrisë, aktualisht është aktive një vatër zjarri në pyllin e Krastës në Krujë, e cila është vënë nën kontroll nga forcat operacionale, të cilat po punojnë për shuarjen e tij.

Nga informacionet e marra nga IGJEUM mbi kushtet e motit gjatë ditëve në vijim, temperaturat në vendin tonë do të jenë relativisht të larta, deri në 41°C.

Ministria e Mbrojtjes kërkon nga strukturat e mbrojtjes civile të vijojnë të jenë në gatishmërinë të plotë për menaxhimin e situatave të shkaktuara nga zjarri.

Ndërkohë iu bëjmë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm në zonat ku paraqitet rrezik më i lartë, gjithashtu të gjithë ata që shkaktojnë situata të tilla nga pakujdesia apo të qëllimshme do të vihen përpara përgjegjësisë penale.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri për menaxhimin e çdo situate emergjente që mund të përballemi gjatë këtyre ditëve të nxehta.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.