Temperaturat e larta, Prefektura e Shkodrës masa për parandalimin e zjarreve

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Sipas informacioneve të marra nga Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), mbi kushtet e motit gjatë ditëve në vijim, pritet që temperaturat në vendin tonë të jenë relativisht të larta, duke arritur deri në 41°C.

Nisur nga kjo situatë, Prefektura e qarkut Shkodër, ka kërkuar angazhim të shtuar të të gjitha strukturave vendore që të monitorojnë intensivisht territoret e tyre të përgjegjësisë në raste të rënies së zjarrit duke shfrytëzuar maksimalisht kapacitetet aktuale në nivel bashkie, agjencie dhe inspektorati.

Ndërkohë, strukturat e mbrojtjes civile janë dhe do të vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë në menaxhimin e situatave të mundshme që mund të shkaktohen nga zjarri, me qëllim parandalimin dhe normalizimin e tyre duke bashkëpunuar me kryetarët e njësive administrative për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të zjarrvënësve të qëllimshëm.

Ndërkaq, u bëhet thirrje qytetarëve të qarkut të jenë të kujdesshëm në zonat me rrezikshmëri zjarri duke rritur vigjilencën në këto zona, kryesisht përgjatë kësaj jave.

Prefektura e qarkut të Shkodrës, në vazhdën e punës së saj koordinuese, do të vijojë bashkëveprimin me strukturat reaguese për menaxhimin e çdo situate emergjente të mundshme që mund të përballemi gjatë këtyre ditëve të nxehta.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.