Rehabilitim i pallateve të dëmtuara për 230 familje në Kamëz

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Në Babrru, Kamëz, vijon rehabilitimi i pallateve të dëmtuar nga tërmeti, ku për 230 familje do të ketë një cilësi krejt të re banimi.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet për Parlamentin, Elisa Spiropali dhe kryetari i bashkisë së Kamzës, Rakip Suli inspektuan sot punimet që po kryhen për rehabilitimin e pallateve.

Kryebashkiaku Suli tha se “pas tërmetit po bëhet rehabilitimi i 5 pallateve ku është bërë ndërhyrje në strukturë në sistemin kapot, izolimin e soletave. Janë hequr depozitat nga soleta e pallateve, pasi rrezikohej çdo familje dhe janë vënë depozita të përbashkëta.
Qytetarët janë shumë të kënaqur. Në total janë 15 pallate që do të rikonstruktohen”.

Inxhinieri i firmës që kryen punimet tha se, “është bërë një punë shumë e mirë, kemi pasur edhe mbështetjen e bashkisë”.

Ministri Ahmetaj u shpreh se “janë 19 pallate gjithsej në bashkinë Kamëz, ku 15 janë vetëm në këtë lot”.

Qytetarët e Kamzës pas rehabilitimit të pallateve do të kenë kushte më të mira, falë  infrastrukturës që do t’iu mundësohet falë këtij investimi.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.