Raporti i OSBE/ODIHR, Basha: 25 prilli masakër zgjedhore

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit, “konfirmoi që 25 prilli nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë dhe me zgjedhjet e lira dhe të ndershme”.

Basha shtoi se, “raporti konfirmon atë që ne kemi thënë prej fillimit se 25 prilli ishte një masakër zgjedhore. Këtë e kemi thënë prej ditës së parë. Këtë e kanë parë me sytë e tyre shqiptarët që kërkonin ndryshimin, i cili u pengua paligjshmërisht me hile, me dhunë, me shantazh”.

“Këtë tashmë e di e gjithë bota demokratike, sepse ky raport për fat të keq është vula e turpit mbi vjedhjen më të madhe të kryer në historinë e pluralizmit”.

“Blerje masive të votave dhe presion ndaj votuesve. E kemi thënë ne, e thotë edhe raporti. Shkrirja në një e partisë në pushtet dhe e shtetit. E kemi thënë ne, thotë edhe raporti. Keqpërdorimi i aseteve publike në avantazh të partisë në pushtet. Abuzimi me pushtetin në funksionet publike. E kemi thënë ne, e thotë dhe raporti”, tha Basha.

“Rritje fiktive e punësimit në administratën publike për qëllime elektorale, presion mbi punonjësit e administratës publike për të votuar partinë në pushtet, e kemi thënë ne e konstaton edhe raporti. Përdorimi i fondeve të rindërtimit për të ndikuar në mënyrë të paligjshme votën, legalizime në këmbim të votës, e kemi thënë ne, e kemi denoncuar, e konstaton edhe raporti. Vjedhja e të dhënave private dhe personale të shqiptarëve nga partia në pushtet dhe ngritja e sistemit kriminal të patronazhistëve duke ushtruar përmes këtij sistemi presione dhe shantazhe ndaj qytetarëve, e kemi thënë ne, e ka zbuluar media, e konstaton edhe raporti dhe vazhdon të thellohet kjo dramë, siç ishte edhe rasti i patronazhistit, trafikant droge, të punësuarit të bashkisë së Tiranës”, theksoi Basha.

“Përdorimi i grupeve kriminale për të ushtruar presion ndaj zgjedhësve, e kemi thënë ne, e thotë dhe raporti. Ndryshimet të njëanshme kushtetuese në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias, e kemi thënë ne, e konstaton edhe raporti. Ndryshimi i fletës së votimit, që solli mes të tjerash dhe një numër rekord votash të pavlefshme, mbyllja e kufijve dhe mohimi i të drejtës së votimit për qindra-mijëra emigrantë”, nënvizoi Basha.

“Para dhe pas 25 prillit Partia Demokratike i ka denoncuar krimet zgjedhore. Kemi depozituar afro 185 padi në SPAK dhe në prokuroritë e rretheve në lidhje me këto krime, por prap në vijim të traditës së pandëshkueshmërinë të dosjeve 184 dhe 339, personazhet e të cilëve vijojnë të mbajnë peng integrimin e vendit, asnjë nga krimet elektorale nuk është ndëshkuar deri në këtë moment”, tha Basha.

“Sot hetimi dhe ndëshkimi i blerjes së votës është një nga rekomandimet parësore të OSBE-OHIDR që e konsideron atë si një prioritet absolut për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”, theksoi Basha.

Basha deklaroi se, “është detyrë e drejtësisë, është detyrë e SPAK-ut të ndjek me përparësi dosjet e krimeve zgjedhore duke përfshirë ato që kanë zënë pluhur dhe të ndal ping pongun në këto dosje. Të mos lirohen autorët e dosjes 339 siç ndodhi dje, por të ndëshkohet kushdo e në veçanti ortakët politik të krimit të organizuar që masakruan çdo standard zgjedhor, që goditën demokracinë dhe që zhbënë të drejtën e shqiptarëve për të zgjedhur të lirë”.

“Raporti i OSBE/ODIHR konfirmoi se 25 prilli nuk zgjidhi asgjë për shqiptarët, as për ata që votuan partinë në pushtet, as për shumicën që zgjodhi ndryshimin. Përkundrazi, i thelloi edhe më shumë dilemat e tyre. Një pushtet që buron nga zgjedhje të vjedhura, nuk ofron dot asgjë tjetër përveçse varfëri, krim, korrupsion, kapje të shtetit dhe zbrazje të mëtejshme të vendit”, tha Basha.

“Detyra jonë, detyra e Parëtisë Demokratike dhe e opozitës është të faktojmë një bashkëpunim sa më të ngushtë me shumicën dërrmuese të shqiptarëve, të bashkëpunojmë me partnerët ndërkombëtarë të vetëdijshëm se koha na ka dhënë të drejtë për të gjitha betejat tona. Sikurse raporti na jep të drejtë për atë se çfarë është 25 prilli, kjo për arsyen sepse ne kemi qenë dhe do të vazhdojmë të jemi zëri i qytetarëve në çdo moment në shërbim të tyre dhe të gjithë bashkë me këtë vetëdije, me të drejtën faktit dhe të vërtetën me vete, kemi mjetet dhe mundësinë t’i japim demokracisë një jetë të re”, theksoi Basha.

“Përkundër masakrës zgjedhore, shqiptarët i kanë dhënë Partisë Demokratike më shumë forcë e bashkë me të vendosmërinë dhe mjetet e nevojshme për ta çuar deri në fund përballjen me këtë regjim. Natyrisht këtë betejë nuk e bëjmë për veten tonë, nuk e bëjmë për Partinë Demokratike, e bëjmë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Të dëmtuarit e mëdhenj, të vjedhurit e mëdhenj të 25 prillit. Ndaj, do të përdorim të gjithë forcën që shqiptarët na kanë dhënë më 25 prill në të gjitha forumet. Me të gjithë miqtë e Shqipërisë që e duan vendin tonë demokratik, pranë Europës, me më pak krim dhe korrupsion dhe me qëllimin për t’ua kthyer pushtetin qytetarëve aty ku pushteti buron, tek vota e lirë, tek vota e ndershme. Dhe këtë me qëllimin e madh, që Shqipëria të ecë përpara dhe raporti i 25 prillit t’i përkas të shkuarës dhe jo të ardhmes që shqiptarët meritojnë”, tha Basha.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.