Nuk iu bind urdhrit të Policisë për kontroll, shoqërohet drejtuesi i mjetit

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, mesditën e sotme zhvilloi një operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar një automjet, për ta kontrolluar, por drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të hapur dyert e makinës dhe është larguar me shpejtësi duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë.

Policia njoftoi se pas disa minuta ndjekjeje, është bërë i mundur bllokimi i mjetit dhe ndalimi i drejtuesit të tij, i cili është i shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Nga ana e strukturave hetimore të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë, po shqyrtohen dhe analizohen veprimet e drejtuesit të mjetit dhe arsyeja e kundërshtimit të urdhrit të punonjësve të Policisë.

Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 kilogram e 128 gramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë dhe ka shoqëruar disa persona. Operacioni është në vijim dhe në përfundim të veprimeve të para hetimore do ketë një deklaratë përfundimtare për median dhe publikun.
Ndërkohë, nga ana e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është duke u verifikuar respektimi i proceduarave gjatë ndërhyrjes në operacion, si dhe lidhur me incidentin e ndodhur me gazetarin e TV News 24, Ergys Gjençaj.
“Policia e Shtetit mbetet e përkushtuar për të goditur çdo paligjshmëri, për të garantuar transparencë dhe siguruar mediet të kryejnë rolin e tyre. Asnjë incident i izoluar nuk do të ndikojë në këtë angazhim, për më shumë siguri për qytetarët”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Incidenti me gazetarin Gjençaj/ SHÇBA nis verifikimin për veprimet e punonjësve të Policisë së Shtetit
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, Tiranë njoftoi sot se menjëherë pasi u njoh përmes medias, ka nisur verifikimet për të parë nëse ka tejkalim kompetencash nga agjentët e Policisë së Shtetit, sa i përket veprimeve me gazetarin e TV News 24, Ergys Gjençaj, gjatë një operacioni në kryeqytet.
SHÇBA do të kryejë çdo veprim hetimor, për të zbardhur shpejt dhe saktë dinamikën dhe përgjegjësitë, nëse ka të tilla.
SHÇBA garanton opinionin publik dhe mediet, se mbeten të angazhuar e të hapur për të bashkëpunuar në kuadër të informimit dhe transparencës me publikun.
/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.