Nis hartimi i projektit të bajpasit të Shëngjinit

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Orientimi i investimeve publike drejt zonave me përparësi zhvillimin e turizmit dhe destinacioneve turistike për përmirësimin e infrastrukturës bazë në to është në fokus të qeverisë.

Kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu informoi sot se do të nisë puna për ndërtimin e bajpasit të Shëngjinit.

“Lajm i mirë për turizmin në Shëngjin, Lezhë. Pas negociatave dhe diskutimeve, qeveria shqiptare nën kujdesin personal të kryeministrit Edi Rama, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Lezhë kanë konkluduar në nisjen e punës për projektin dhe zbatimin e bajpasit të Shëngjinit”, bëri të ditur Ndreu.

Projekti është vazhdim i rrugës Shëngjin-Velipojë që zgjidh njëherë e mirë trafikun në qendër të qytetit të Shëngjinit, duke i dhënë mundësinë e artë të kalimit sipër qytetit.

“Ritmet e zhvillimit nuk ndalen, për të zgjidhur njëherë e mirë probleme themelore që shqetësojnë prej vitesh mbarëvajtjen e turizmit në Lezhë. Projekte të tjera janë në proces”, tha Ndreu.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.