Mbi 2.3 milionë tonë mallra të përpunuara në porte

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Instituti i Statistikave publikoi sot raportin mbi transportin e mallrave sipas të cilit, volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte, në muajin qershor 2021 është 412 mijë tonë, duke u rritur 9,6 %, krahasuar me qershor e 2020-ës.

Volumi i mallrave të përpunuara në port ka tejkaluar edhe nivelin e para pandemisë.

Krahasuar me mesataren e muajve qershor për periudhën 2018-2020, volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte është rritur 15,7 %.

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti në portet e vendit janë përpunuar mbi 2.3 milionë tonë mallra.

Referuar INSTAT-it, volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte është 2.345,3 mijë ton, duke u rritur me 15,4 %, krahasuar me gjashtëmujorin e vitit 2020.

Edhe numri i pasagjerëve shënoi rritje përgjatë qershorit, krahasuar me qershorin e 2020-ës, por ishte shumë larg shifrave të para pandemisë.

“Në qershor 2021, numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjë detare është 40.902 pasagjerë. Krahasuar me qershor 2020, ky tregues është rritur 2,3 herë. Krahasuar me mesataren e muajve qershor për periudhën 2018-2020, numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjë detare është ulur me 58,7 %”, thuhet në raport.

Ndërsa si periudhë gjashtëmujore kanë udhëtuar me linjë detare 196.023 pasagjerë, ose 28,7 % më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.