KPK shkarkon nga detyra prokuroren Daniela Sulaj

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) shkarkoi sot nga detyra prokuroren Daniela Sulaj, e cila mbante pozicionin e Inspektores Magjistrate të Komanduar pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD).

Vendimi i sotëm i dhënë nga trupa gjykuese e përbërë nga treshja Roland Ilia, Etleda Çiftja dhe Pamela Qirko erdhi pas seancës dëgjimore që u zhvillua më 23 korrik.

Sulaj ka ushtruar nga dhjetori i vitit 2007 deri në shkurt të vitit 2021 detyrën e Prokurores pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë Tiranë. Gjatë kësaj kohe ka ushtruar detyrën e prokurores në Seksionin për të Mitur, në Njësinë e Përbashkët Hetimore për Krimin Ekonomik dhe Korrupsionin, si dhe në Seksionin kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar.

Sulaj e ka filluar karrierën në vitin 2004 si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë. Në vitin 2008 ajo është transferuar në Prokurorinë e Tiranës.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.