Kamëz, 11 kantiere në infrastrukturën arsimore të dëmtuara nga tërmeti

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Në Kamëz vijon puna me ritme të larta për ndërtimin dhe rikonstruksionin e çerdheve, kopshteve dhe shkollave, të cilat janë nga më të mirat në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet për Parlamentin, Elisa Spiropali dhe kryetari i bashkisë së Kamzës, Rakip Suli inspektuan sot punimet që po kryhen për ndërtimin e këtyre institucioneve arsimore.

“Në kantieret e rilindjes së shkollave, kopshteve e çerdheve nga gërmadhat e tërmetit shkatërrimtar, prej ku po dalin objekte arsimore pakrahasimisht më të mira dhe më të bukura se ato që rrënoi tërmeti”, – tha Rama.

Kryetari i bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, tha se “jemi në shkollën Kamza e Re. Objekti është 2900 m2, 1002 nxënës dhe 26 klasa. Po bëhet rikonstruksioni total pas tërmetit i kësaj shkolle. Palestra e shkollës është një shtesë që po ndërtohet nga fillimi, pasi shkolla nuk ka pasur palestër”.

“Vetëm bashkia Kamzë përfiton 28 objekte arsimore, çerdhe, kopsht, shkolla, ndërtime nga e para me gjithë rikonstruksione. Bashkia Kamëz ka rreth 19 mijë nxënës gjithsej. Këto objekte janë gati më 1 shtator”, tha Suli.

Ministri Ahmetaj tha se shkolla po ndërtohet me fonde të buxhetit të shtetit. Kemi 11 kantiere në infrastrukturën arsimore vetëm në Kamzë. Këto janë dy shkollat e lotit të fundit të shkollave pas vlerësimit që bëri bashkia. Numri i nxënësve është i madh, përfitojnë ambiente shtesë sportive”.

Ministrja Spiropali u shpreh se, “për këtë shkollë prindërit e fëmijëve ankoheshin gjithmonë, pasi mirëmbajtjen e bënin vetë, nga xhamat, çatia, kontributet dhe tani do ta kenë gati”.
Kryebashkiaku Suli tha se “shkolla e mesme do të bëhet me fonde të KfW, kurse shkolla tjetër dhe një kopsht me fonde të qeverisë”.

Kryeministri Rama kërkoi heqjen e mureve ndarëse nëpërmjet shkollave.

“Mirë është që ti heqim muret ndarëse që të jetë një hapësirë e përbashkët, pasi është një zonë arsimore fantastike”, tha Rama.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.