“Gati për Shqipërinë”, zhvillohet sesioni i 19-të i prezantimit të të rinjve aplikantë

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot sesionin e 19-të të bashkëbisedimit me aplikantët e nismës “Gati për Shqipërinë”.

Rama tha se “ky cikël sesionesh online sipas fushave, na mundëson njohjen me të interesuarit dhe eksplorimin së bashku të mundësive e formave të bashkëpunimit me ta. Ndërkohë aplikimet vazhdojnë të priten në adresën: [email protected]”.

“Sot kemi sesionin e 19-të të këtyre kontakteve, e para gjë që dua t’ju them është se ky është kontakti i parë. Më pas do të keni një të dytë me ministrat dhe titullarët përkatës sipas fushave. Në bazë të këtij prezantimi ndahen grupet sipas profesioneve dhe fushave përkatëse. më tutje do t’ju vijë një njoftim nga drejtuesja e programit, që është zv/ministrja e Arsimit, Bora Muzhaqi”, – theksoi Rama.

Kryeministri Rama tha se “bashkë me mua është Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, kryetari i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese dhe Drejtorja e Përgjithshme e Administratës Publike”.

Aplikanti i parë, Ervin Sinani, i cili ka mbaruar studimet në Universitetin Roma 3 për Ekonomi dhe Tregti tha se “për shkak të situatës time fizike jam i angazhuar në fushën e shëndetësisë në shumë aktivitete sa i përket të drejtave me aftësi të kufizuara”.

Ledian Shera ka mbaruar studimet Bachelor në Universitetin e Venecias, për administrim biznesi. Kam përfaqësuar Shqipërinë në evente dhe kompeticione ndërkombëtare si në Europë dhe Kaliforni. Jam themelues i dy nismave që kanë për qëllim promovimin e Shqipërisë, biznesit dhe talenteve. Mirë do të ishte të jepja kontributin tim në fushën e inovacionit, teknologjisë dhe sipërmarrjes”.

Një tjetër aplikante, Gerisa Abazi, e cila ka mbaruar Bachelor dhe Master shkencor në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës si dhe Marketing dhe Zhvillim Biznesi në Francë, shprehu dëshirën për të kontribuuar si në fushën e arsimit, edhe në atë të ekonomisë.

Pamela Gruda dhe Vajsan Broka kanë dy sipërmarrje në fushën e edukimit. “Kam zgjedhur Shqipërinë dhe do vazhdoj ta zgjedh gjithmonë. Kemi ardhur për një mision dhe ndaj jam gati për Shqipërinë”, – tha Pamela Gruda.

Ndërsa Vajsan Broka u shpreh se, “ka ardhur koha ndoshta për një edukim nga shtëpia në Shqipëri. Nuk është e ligjëruar që ne mund të edukohemi edhe nga shtëpia do të shkojmë patjetër në institucion shkollor, por besoj se familjet shqiptare janë gati të hedhin një hap drejt demokratizimit të tyre”.

Briken Tuci po përfundon studimet për informatikë dhe prej 7 vitesh punon në një kompani telekomunikacioni. “Fusha në të cilën doja të kontribuoja në Shqipëri do të ishte në turizëm dhe kulturë”, – tha Tuci.

Buena Roshi studente pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës në degën Teknologji e Informacionit dhe Komunikimit. “Dua të jap kontributin tim në fushën e arsimit, sidomos në ngritjen e siteve universitare apo aplikacionet që studentët duhet të kenë”.

Anesti Andoni, ka mbaruar studimet e larta në degën e sistemit të informacionit në biznes, punon prej 4 vitesh si software inxhinier dhe është i gatshëm të ofrojë kontributin në fushën e teknologjisë së informacionit.

Arbër Minxhozi, diplomuar në administrim biznes në Universitetin e New York-ut në Tiranë, punon në një nga projekt e ADF, kërkon të japë kontribut nëpërmjet një projekti zhvillimi kulturor dhe ekonomik, që përfshin bashkinë e Tiranës, Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Turizmit.

Albina Tocilla, e diplomuar në inxhinieri telekomunikacioni pranë Universitetit Politeknik të Tiranës, aktualisht vazhdon studimet e doktoraturës pranë Universitetit të Ferrarës në Itali, është gati për të kontribuar qoftë në fushën e “smart city”, apo dhe në fushën e përmirësimit dhe zhvillimit të kurrikulave.

Skerdian Tefa, ka kryer studimet e larta për bachelor në Financë në Kinë, më tej Master në menaxhim biznesi në Shangai, do të donte të jepte kontribut më të madh në fushën e transporteve, ekonomisë, apo thithjen e investimeve të huaja.

Ervin Ceraj, ka mbaruar studimet bachelor në turizëm dhe master shkencor në menaxhim të turizmit të qëndrueshëm, do të donte të jepte kontribut në programet mbështetëse të zhvillimit të turizmit, bujqësisë dhe trashëgimisë kulturore.

Rubin Haxhiymeri, edukim akademik i të cilit është zhvilluar në aksin Mbretëri e Bashkuar-Slloveni, ku ka kryer studimet dhe specializime për inxhinieri telekomunikacioni, shprehu interes të kontribuojë në kuadrin rregullator dhe strategjinë ekzkutive për Shqipërinë dixhitale.

Jona Harizi, ka kryer studimet e larta në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe masterin shkencor në inxhinieri telekomunikacioni, prej tre vitesh punon në Republikën Çeke, do të jepte kontribut kudo që do të nevojitej në lidhje me ushtrinë, policinë, me modernizimin e pajisjeve që ata përdorin.

Olgert Duka, ka mbaruar studimet në Universitetin e Shkencave të Natyrës në fushën e informatikës, fusha që do të donte të kontribuonte është në turizëm.
Petrit Dodaj, është diplomuar në financë, ka marrë trajnime dhe është certifikuar në Itali në fushën e fotorilevimit me dron, do të jepte kontribut në disa fusha si siguria publike, monitorimi i territorit, kadastër, bujqësi, energji, arkeologji, etj.
Noel Ljarja, ka kryer studimet bachelor në Universitetin e Shkodrës dhe një semestër në software inxhinieri në Vjenë, punon si programues për zhvillimin e software-ve dhe kërkon të krijojë një program rreth qytetit të Shkodrës, që të ketë informacione turistike rreth qytetit dhe të mund të aksesohet nga gjithkush.

Eris Caushaj, ka përfunduar masterin shkencor në degën financë bankë dhe institucione të tjera financiare, ka studiuar gjithashtu në Moskë për strategji financiare të korporatave, do të dëshironte të kontribuonte në fushën e financës ose të ekonomisë.
Erion Çuni, ka kryer masterin për inxhinieri informatike në “La Sapienza”, kërkon të japë kontribut në sektorin e mobile dhe në fushën e sigurisë.
Selma Lumi, ka mbaruar studimet për drejtësi dhe master shkencor për të drejtën civile, do të donte të kontribuonte në fushën e drejtësisë.
Ledia Maleqka, ka mbaruar studimet master në siguri informacioni dhe do të donte të kontribuonte në procesin e dixhitalizimit.
Klaudio Vito, ka përfunduar studimet bachelor në fushën e inxhinierisë kompjuterike në SHBA, pas studimeve është punësuar tek një kompani me qendër në New York, e cila është në fushën e transportit publik, fusha në të cilën do të donte të kontribuonte është përmirësimi i transportit publik.

/k.s//gj.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.