DASH publikon raportin për klimën e të bërit biznes në Shqipëri

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) publikoi raportin për klimën e të bërit biznes në Shqipëri.

Raporti i DASH-it vlerëson se sistemi ligjor shqiptar nuk diskriminon investitorët e huaj dhe se rimëkëmbja ekonomike pritet të nxitet kryesisht nga rritja e konsumit dhe programi i gjerë i rindërtimit pas tërmetit.

“Shqipëria ka mundur të tërheqë nivele në rritje të investimeve të huaja direkte gjatë dekadës së fundit”, thuhet në raport

Në raport vlerësohet si i “rëndësishëm” edhe progresi në dixhitalizimin e shërbimeve për qytetarin dhe biznesin. “Kjo duhet të ndihmojë në frenimin e korrupsionit duke kufizuar kontaktet e drejtpërdrejta me zyrtarë të administratës publike”, citohet raporti.

Po ashtu, raporti evidenton korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme të vazhdueshme në Shqipëri.

Raporti, i cili bazohet në statistikat e Fondit Monetar Ndërkombëtar, thotë se ekonomia shqiptare u godit nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-ës dhe pandemia, por se rimëkëmbja ekonomike pritet të nxitet kryesisht nga rritja e konsumit dhe programi i gjerë i rindërtimit pas tërmetit.

“Sistemi ligjor shqiptar nuk diskriminon investitorët e huaj. Traktati dypalësh i Investimeve mes Shqipërisë dhe SHBA-së, që hyri në fuqi në 1998, siguron që investitorët amerikanë të marrin trajtim kombëtar dhe trajtimin më favorizues kombëtar. Ligji për Investimet e Huaja përcakton mbrojtje specifike për investitorët e huaj dhe lejon pronësinë e huaj 100 për qind të kompanive në të gjithë sektorët, përveç disa prej tyre. Shqipëria ka mundur të tërheqë nivele në rritje të investimeve të huaja direkte gjatë dekadës së fundit”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja llogariten mesatarisht 1.1 miliardë dollarë në gjashtë vitet e fundit dhe stoku i investimeve të huaja direkte arriti në 9.5 miliardë dollarë në fund të vitit 2019. Investimet janë përqendruar kryesisht në sektorin e energjisë, industrinë nxjerrëse, sistemin bankar dhe sigurimet, telekomunikacioni dhe pasuritë e paluajtshme. Zvicra, Holanda, Kanada, Turqia, Austria dhe Greqia janë vended me investimet më të mëdha direkte në Shqipëri.

Në raport thuhet se zbatimi i Reformës në Drejtësi vazhdon dhe përfundimi i saj pritet të përmirësojë klimën e investimeve në vend.

“Për të luftuar korrupsionin endemik, në vitin 2016, qeveria shqiptare miratoi ndryshime kushtetuese gjithëpërfshirëse për të reformuar sistemin gjyqësor të vendit dhe për të përmirësuar sundimin e ligjit. Zbatimi i Reformës në Drejtësi vijon, duke përfshirë vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve për pasuri të pajustifikuar. Më shumë se gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i janë nënshtruar vetingut janë shkarkuar për pasuri të pajustifikuar, ose lidhje me krimin e organizuar. BE-ja pret që Shqipëria të bëjë progres në ndjekjen penale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, verifikimi i të cilëve zbuloi sjellje të mundshme kriminale. Zbatimi i reformës në drejtësi vazhdon dhe përfundimi i saj pritet të përmirësojë klimën e investimeve në vend”, thuhet në raport.

https://www.state.gov/reports/2021-investment-climate-statements/albania/

/ush/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.