Braçe: Laçi po rindërtohet i gjithi, jo thjesht prej tërmetit

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Zv/kryeministri Erion Braçe, u shpreh sot se “Laçi po rindërtohet i gjithi, jo thjesht prej tërmetit”.

“Një grup partnerësh po bëjnë gjithçka; Qeveria shqiptare, qeveria turke, Komisioni Europian, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, bashkia Laç dhe më shumë se 1000 punëtorë vendas po bëjnë: Ujësjellësin e ri të Laçit, Spitalin, Bashkinë, të gjitha shkollat e kopshtet, të gjitha rrugët e qytetit, trotuaret e ndriçimin e ri, po sistemojnë përfundimisht nën tokë përroin e qytetit që e përmbyte sa herë kishte prurje dhe lagjen e re sa 1/3 e Laçit, kushtuar familjeve, pallatet e të cilave u shembën pas tërmetit (bashkë me një shkollë të re aty brenda dhe një rrjet të tërë tregtar)”, thekson Braçe.

“Shihini fotot e para pak! Kur shihja Edi Ramën pas tërmetit se si e vinte përpara mosbesimi politik i banorëve të shembur nga tërmeti në Laç, edhe mua më injektohej mosbesimi! Po ja, jemi në Laç e punët po mbarojnë duke bërë një qytet nga e para!”, shtoi Braçe.

“Po tani? Tani qëndroni pak dhe kujtohuni; Keni 30 vite që votoni Salih Berishën. Çfarë vepre ju ka ndërtuar! Se mos thoni sheshin, se edhe atë e bëri kjo qeveri! Se mos thoni ekipin e Laçit, se edhe atë ua bëri Pashku!”, theksoi Braçe.

“Nejse, puna vlen, veprat mbahen mend; llogjet ideologjike nuk e zhbëjnë dot punën, nuk i rrëzojnë dot veprat!”, tha Braçe.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.