Aplikimet për në Universitet, kreu i RASH për ATSH: Hapat që duhet të ndjekin maturantët


TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj në një intervistë për ATSH-në, bëri të ditur se, “maturantët nisin në 29 korrik procesin e aplikimit për hyrjen në universitet, që vijon për 6 ditë në 24 orë”.

Ai tha se aplikimi kryhet përmes portalit u-Albania, ku të rinjtë mund të shprehin edhe preferencat e tyre për degën ku duan të studiojnë.

“Të gjitha maturantët që kanë mbyllur procesin administrativ, pranë gjimnazeve në datën 29 korrik mund të aplikojnë me ID e tyre, duke ndjekur plotësimin e aplikimit në portal sipas preferencave që kanë dhe aplikimi mbyllet në momentin që maturanti e konfirmon aplikimin e tij nëpërmjet kodit të aplikimit”- shpjegoi Xhelaj në intervistën dhënë ATSH-së.

Sipas tij, aplikimet e maturantëve për 10 preferencat e tyre, u shpërndahen Universiteteve ku duan të kryejnë studimet. Procesi i renditjes së maturantëve bëhet mbi bazën e kalkulimit të pikëve, procedurë kjo që e kryejnë vetë Universitetet.

Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, bëri të ditur se, në datën 30 gusht të gjithë listat e renditura për 560 programet e studimit që janë aktualisht, do të jenë publike në portalin u- Albania. Ku çdo maturant mund të shohë renditjen e tij, për çdo program që ka aplikuar.

“Maturantët kanë në dispozicion datën 1 shtator, për të ankimuar për renditjen e tyre, në rastet kur kanë ankesë për renditjen në listë. Ata në këtë rast do të shkojnë pranë Universitetit, për të cilin kanë aplikuar dhe të bëjnë ankimin përkatës. Në rast se ankimimi do të merret parasysh atëherë lista do të ndryshojë. Për ndryshe lista do të jetë me të njëjtën renditje. Lista do të jetë publike në datën 2 shtator 2021 dhe do të nisë regjistrimi me faza 48 orëshe”, deklaroi Xhelaj.

Ai tha se, janë gjithsej 7 faza. Në raundin e parë maturantët shohin nëse janë fitues dhe duhet të regjistrohen brenda 48 orëve, për ndryshe ata vazhdojnë garën fazë pas faze.

“Në përfundim të 7 fazave, është faza e 8-të, që është faza e çregjistrimeve, që do të thotë që ata maturantë që janë regjistruar, por shohin se ka akoma kuota të lira në atë program ku dëshirojnë më shumë të studiojnë, mund të çregjistrohen, pasi është një proces i thjeshtë administrativ dhe pastaj të vijojnë garën me raundin e dytë që është deri në fund të shtatorit”, shpjegoi Xhelaj për ATSH.

Ai tërhoqi vëmendjen që maturantët të bëjnë kujdes, për të parë se kur janë datat e testeve për Fakultetin e Arteve, Sportit apo ndonjë tjetër.

“Të gjitha universitet që kanë teste, përpara datës 20 gusht pikët e konkursit bashkë me pikët notave të maturës shtetërore i janë dërguar Universiteteve të cilët fillojnë të bëjnë përllogaritjen e tyre.

Zyrtarisht data 30 gusht 2021 është data për publikimin e listave dhe data 1 shtator është data për ankimimin në rast se kanë ankesa, të cilat ia drejtojnë Universitetit ku ata kanë aplikuar. Pasi mbyllet ky proces në datën 2 shtator fillon procesi i regjistrimit i cili vijon me 7 faza 48-orëshe”, deklaroi ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.