Varianti Delta, Tomini: Të gjitha vaksinat kanë efektivitet 95-100 % kundrejt formave të rënda

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Zv.ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini tha sot se, prania e variantit “Delta” të COVID-19 në Shqipëri është hasur në fund të muajit maj.

Në një intervistë televizive, Tomini bëri të ditur se personat e prekur nga “Delta” paraqiten në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërsa personat e vaksinuar që gjithashtu janë infektuar, zv.ministrja tha se kanë shfaqur shenja të lehta duke mos pasur nevojë për trajtim në spital.

“Situata klinike e rasteve të cilët janë infektuar me variantin ‘Delta’, paraqitet në gjendje të qëndrueshme. Pra, janë në gjendje të mirë shëndetësore, për vetë faktin e rasteve që kemi edhe vaksinim. Pra, kalendari i kryer sipas tyre edhe në vendet e BE-së, siç ishin dy rastet e vaksinuar me dozat e ‘AstraZenecës’, apo rastet e vaksinuara ‘Pfizer’, por qoftë edhe dy rastet që kanë qenë të vaksinuar me ‘Coronavac’, shfaqin klinikë të lehtë, jo klinika të rënda të cilat kërkojnë hospitalizim”, u shpreh Tomini.

Tomini theksoi se “rastet që janë infektuar pas kryerjes së vaksinimit sigurisht që shfaqin shumë herë më lehtë klinikën, sesa rastet e pavaksinuar”.

Ajo shtoi se, “mbi 60 % e tyre janë pa historik udhëtimi dhe ndërkohë mbi 38 % janë me historik udhëtimi në vendet ku prezenca e ‘Deltës’ ka qenë e deklaruar”.

Tomini tha se të gjitha vaksinat kanë efektivitet 95-100 % kundrejt formave të rënda të të gjithë varianteve të COVID-19.

“Është shumë e rëndësishme që nga 95-100 % vaksinat minimizojnë format e rënda. Pra të gjithë individët që kryejnë të dy dozat e vaksinës, për ato vaksinat që rekomandohen me të dy dozat, të gjitha vaksinat mbrojnë në nivelin e 95, 99, 100% ndaj formave të rënda”.

Tomini tha se, personat e prekur nga mutacioni i koronavirusit, kanë krijuar vatra familjare dhe mes të prekurve janë dhe persona të vaksinuar.

“Të dhënat epidemiologjike, investigimi i rasteve që janë konfirmuar me variantin ‘Delta’, kanë një historik të fillimit të shenjave klinike nga fundi i majit (29/05/2021). Dhe ndërkohë ecuria në kohë e kontakteve, apo edhe e kontakteve të ngushta familjare, sigurisht ka reflektuar, një pozitivitet. Gati 13 raste kanë krijuar vatra familjare, që do të thotë ia kanë transmetuar kontakteve të ngushta të tyre”, deklaroi zv.ministrja.

“’Delta’ ka një transmetueshmëri që shkon në nivelin e 50-60 % krahasuar me mutacionin e parë ‘Alfa’ të COVID-19. Dhe transmetueshmëria e tij është shumë e lartë”, tha Tomini.

Ndërkohë zv.ministrja e Shëndetësisë tha nga ana tjetër se, “tek individët që janë të pavaksinuar agresiviteti ekziston. Por tek individët që janë të vaksinuar sigurisht që zbehet klinika për shkak të një njohjeje më para të organizmit dhe kemi antikorpe për t’u mbrojtur”.

E pyetur nëse do të ndiqet ndonjë politikë për të detyruar qytetarët refuzues që të vaksinohen, Tomini tha se, “nuk shihet skepticizëm” por shtoi ajo, “në momente të caktuara popullata shqiptare kërkon edhe ndonjë preferencë. Pandemia nuk njeh preferenca në vaksinim. Pandemia të vë përpara përgjegjësisë jo vetëm për të shpëtuar jetën tënde personale, por për të shpëtuar dhe të afërmit, anëtarët e familjes, rrethin shoqëror duke u vaksinuar”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.