Varianti “Delta”, Fico: 21 mostra nga qytete të ndryshme të dërguara në Berlin u konfirmuan pozitive

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico deklaroi sot se në laboratorin në Berlin u dërguan 21 mostra kimike, të cilat kanë rezultuar pozitive me variantin “Delta”.

Në konferencën për shtyp të Komitetit Teknik të Ekspertëve, Fico tha se “në Charite u dërguan 21 mostra klinike, nazale dhe faringiale, të cilat kanë rezultuar pozitivë me metodën e real time PCR. Këto janë mostra të vëna mënjanë për periudhën 1 qershor deri në 12 korrik, kur kemi filluar të shikojmë edhe sinjalet e pazakonshme. E rëndësishme është që në këto mostra ne i kemi gjetur në një përhapje në qytete si Tirana, Elbasani, Shkodra, Lezha, Kavaja, Gjirokastra, Korça, Peqini, Mati dhe Vlora, me numra të vegjël natyrisht. Por gjithsesi këto janë mostrat për të cilat kemi marrë përgjigje”.

Lidhur me situatën epidemiologjike në vendin tonë, Fico tha se vihet re një rritje e përhapjes dhe mesatares ditore.

“Situata epidemiologjike në vend ka shënuar disa rritje në raport me përhapjen, e cila tashmë është 10 për 100 mijë banorë. Mesatarja ditore është rritur nga 13 deri në 27. Numri total i rasteve aktive rezulton i rritur nga 272 në 280. Numri i bashkive të cilat janë përfshirë nga rastet e reja ka shkuar në 10. Ndërkohë që vijojmë me të njëjtin raport femra-meshkuj për infeksionin, 52 me 48 % dhe në shërbimin e sëmundjeve infektive gjenden të shtruar 9 pacientë”, – tha Fico.

Fico u shpreh se “fatmirësisht nuk kemi pasur raste fatalitetesh për javën e 30. Vijojnë të shtohen numrat e personave të vaksinuar me dy doza, ka arritur në 496.714, pra rreth 500 mijë. Ndërkohë që ka një total prej 1.611.550 rastesh të kryera në totalin e tyre”.

Fico u bëri apel qytetarëve të vaksinohen dhe të respektojnë masat e vendosura nga autoritetet shëndetësore për të mundësuar parandalimin e përhapjes së virusit dhe dëmeve në shëndetin e qytetarëve.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.