Vaksinimi masiv antikovid, mbërrijnë edhe 67 860 doza të vaksinës Pfizer

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Mbi 67 mijë vaksina Pfizer mbërritën mbrëmjen e sotme në aeroportin “Nënë Tereza”, ndërsa vijon vaksinimi masiv antikovid në gjithë vendin.

Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, sipas të cilit “67,860 doza të vaksinës Pfizer sapo kanë mbërritur në Aeroportin “Nënë Tereza”, duke e çuar në 1,679,410 sasinë e vaksinave antikovid të mbërritura në vend”.

“Kjo sasi e vaksinave Pfizer u sigurua nga financimi i qeverisë shqiptare përmes instrumentit Covax, nga kontrata direkte me kompaninë si dhe nga mbështetja e Bashkimit Europian”, u shpreh kryeministri Rama.
“Vijojmë çdo ditë pa u ndalur me vaksinimin masiv në të gjithë vendin. Deri tani janë kryer 1,148,910 vaksinime”, theksoi kryeministri Rama.
Autoritetet shëndetësore intensifikuan apelin për vaksinimin e popullsisë, me hyrjen e variantit Delta në vend.  MSHMS apeloi qytetarët të vaksinohen sa më parë, për të frenuar përhapjen e virusit të rrezikshëm. Vaksinat reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.