Spiropali: Epokë e re drejtësie dhe zhvillimi për Shqipërinë

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, shprehu sot bindjen se ka nisur një epokë e re drejtësie dhe zhvillimi për Shqipërinë.

Në një intervistë televizive, duke folur për punën e SPAK-ut, Spiropali theksoi se “në çështjet e drejtësisë nuk ka socialistë apo demokratë, por ka vetëm njerëz që duhet të përgjigjen para drejtësisë, të fitojnë pafajësinë e tyre, apo të përgjigjen para institucioneve. Çdo koment është i tepërt për secilin rast dhe komenti që nuk është asnjëherë i tepërt në ndryshim nga e shkuara jonë, kur politika mbante të gjitha fijet e drejtësisë dhe shpëtonte shokë e bashkëpunëtorë, ministra, deputetë nga drejtësia, sot ka perënduar. Kjo arkitekturë e re e drejtësisë nuk e lejon ndikimin dhe nuk mund të ndikohet. Të shohim si do funksionojë, por jam e bindur se ka nisur një epokë e re drejtësie dhe zhvillimi për Shqipërinë”.

“Shqiptarët duan drejtësi, duan fundin e pandëshkueshmërisë. Në 2016 kur u votuan amendimet e Kushtetutës për Reformën në Drejtësi që i hapën edhe rrugën implementimit të kësaj reforme të rëndësishme, 93 % e shqiptarëve e mbështesnin Reformën në Drejtësi pikërisht për të garantuar drejtësinë dhe asnjë nga Presidenti, deri tek qytetari më i thjeshtë të mos jetë mbi ligjin”, – theksoi Spiropali.

Lidhur me deklaratat e sotme të deputetit të zgjedhur të Partisë Socialiste, Petro Koçi, Spiropali tha se “këto janë deklarata që bëhen para prokurorëve. Nuk jam këtu për të komentuar as partitë politike, as individët. Besoj që ka perënduar koha kur akuzat dhe deklaratat hidheshin në tregun politik për të luftuar apo dëmtuar kundërshtarët. Sot secili duhet të mbajë mbi shpatulla jo vetëm deklaratat, por edhe përgjigjet para institucioneve të drejtësisë”.

E pyetur nëse po funksionojnë institucionet e drejtësisë, Spiropali tha se “ka qenë një 5-vjeçar jo i lehtë, nuk është një reformë që bëhet sa hap e mbyll sytë, por ka filluar të prodhojë rezultate të dukshme dhe të qarta në të gjitha nivelet”.

“Ne ç’mund të bënim me votë në Kuvendin e Shqipërisë e kemi bërë. Kjo shumicë ka mbështetur me votë, por edhe me mbështetje financiare ngritjen e institucionet e reja, dhe rezultatet po duken. Shqipëria është në udhëkryq për t’u ndarë njëherë e mirë nga e shkuara e saj tranzicionale dhe për të hyrë në fazën e re të zhvillimit. Nuk mund ta bëjë këtë kapërcim të rëndësishëm pa Reformën në Drejtësi, pa garancinë se politikanët, administratorët e parave publike, njerëzit me ndikim, biznesmenë etj., janë të gjithë të barabartë para ligjit. Kjo i dallon shtetet dhe kombet e zhvilluara nga të tjerët. Ne e kemi marrë përsipër këtë mision historik dhe besoj se Kryeministri Rama është arkitekti i Shqipërisë i posttranzicionit”, – tha Spiropali.

Duke folur për opozitën dhe Kuvendin e ri që nis punën në shtator, Spiropali tha se “nuk do të angazhohemi në asnjë debat politik të pavlerë për qytetarët që nuk prodhon alternativa apo ide. Në Kuvend do të përballemi për idetë tona, politikat tona, por s’do të angazhohemi në sulmet dhe kundërsulmet personale”.

“Për opozitën kemi patur dhe kemi të njëjtin ofertë. Jemi shqiptarë, pa dallim, të ulemi në tryezë dhe të gjejmë pikat e përbashkëta për çështje të rëndësishme të interesit kombëtar. Integrimi s’është i yni, por është një vokacion kombëtar. Më shumë se 90 % e shqiptarëve duan të integrohen në BE. Kjo opozitë e provoi çdo të thotë të braktisësh institucionet, të dalësh në rrugë dhe të humbasësh besimin e qytetarëve. Jam e bindur që do të jenë në Kuvend në shtator, por s’e di sa produktive do të jetë gjuha dhe retorika e tyre. Beteja e tyre duhet të jetë e fortë, por parimore. Pushka top për çdo përballje parimore, për reformat e reja që do të ndërmarrim. Jemi të gatshëm për çdo llogaridhënie dhe ata duhet ta kapin këtë moment bashkëpunimi”, – tha Spiropali.

Sa i përket kabinetit të ri qeveritar Spiropali u shpreh se “s’ka asnjë rëndësi sa të njohur apo të panjohur. E rëndësishme është që të votojmë programin tonë qeverisës për 4 vitet e ardhshme dhe të jenë të efektshëm, të jenë të zotë”.

Ndërsa lidhur me objektivat e qeverisë së re, Spiropali veçoi infrastrukturën moderne, bujqësinë, integrimin, turizmin dhe arsimin cilësor.

“Ne e kemi të qartë programin tonë dhe do kthejmë besimin e qytetarëve në më shumë investime”, tha ajo.

/k.s/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.