Sistemi bankar i shëndetshëm, BSH: Interesat e kredisë në lekë u ulën në 6.51%

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Gjendja e shëndetshme e sistemit bankar po mban nën kontroll normat e interesit të kredisë, çka po ndihmon në nxitjen e investimeve të reja me kredi bankare, sidomos në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Norma mesatare e interesit të kredive në lekë u ul në 6.51 % në pesë mujorin e parë të këtij viti, nga 6.52 % që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë 5-mujorit të parë të këtij viti, janë ulur interesat e kredisë në lekë, për blerje banesash dhe të kredisë për qëllime të tjera.

Ndërsa vërehet një rritje e lehtë në interesat mesatarë të kredive konsumatore dhe overdrafteve.

Kredia për blerje banesash në lekë u dha me një normë mesatare interesi 3.57 %, nga 3.68 % për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ndërsa norma e interesit të kredisë konsumatore në lekë, ka shënuar 8 % dhe e overdrafteve u rrit në 11.8 %, nga 11.6% që kishin qenë një vit më parë.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.