Shqipëria pjesë në Parasamitin e Sistemeve Ushqimore në Romë

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi po merr pjesë në Parasamitin e Sistemeve Ushqimore që zhvillohet në Romë.

“Vetëm 1 javë pasi përfunduam dialogjet kombëtare të sistemeve ushqimore, me partnerët tanë të zyrës së OKB-së në Tiranë, FAO-s dhe aktorë të tjerë të përfshirë, Shqipëria merr pjesë në Parasamitin e Sistemeve Ushqimore që zhvillohet në Romë”, shprehet Ekonomi.

Sipas saj, në drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, António Guterres, nëpërmjet një formati të kombinuar mes pranisë fizike dhe lidhjeve virtuale, përfaqësues nga e gjitha bota do të diskutojnë për 3 ditë me radhë, ide të reja, mundësitë e bashkëpunimit dhe mbështetjen financiare, për transformimin e sistemeve të ushqimit dhe nisjen e angazhimeve të reja përmes partneriteteve, planeve të veprimit dhe mobilizimin e financave për të patur ndikim maksimal.

Parasamiti i Romës, i cilësuar “Samiti i Popujve” (People’s Summit) do të mbledhë së bashku të rinjtë, fermerët, shoqërinë civile, studiuesë, sektorin privat, drejtues të politikave, ministrat e bujqësisë, mjedisit, shëndetit, financave ndër pjesëmarrës të tjerë.

Në kuadër të thirrjes së OKB-së për një botë ku askush nuk duhet të jetë më i uritur, i varfër dhe i kequshqyer, e duke ju përshtatur sfidave të kohëve të fundit si pandemia e COVID-19 dhe ndryshimet klimatike, punimet e këtij para samiti, marrin një rëndësi të veçantë. Shtetet anëtare do të përqendrohen në angazhime dhe ide të reja veprimi, me synim arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm deri në 2030.

Parasamiti do të vlerësojë procesin, duke hedhur bazat për një samit ambicioz dhe produktiv mbi sistemet ushqimore, i cili do të zhvillohet në shtator të këtij viti, në Nju-Jork.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.