Ruçi me delegacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe: Bashkëpunimi politik po “përkthehet” në një bashkëpunim ekonomik në rritje

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi priti një delegacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të kryesuar nga gjeneral major, Obaid Alhairi Salem Alketbi, i cili më herët ka mbajtur edhe postin e Ministrit të Shtetit për Çështje të Sigurisë dhe asistentministër për Punët e Jashtme dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar për Çështjet Ushtarake dhe të Sigurisë.

Në takim merrte pjesë edhe kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla dhe ambasadori i Shqipërisë në Emiratet e Bashkuara Arabe, Ermal Dredha.

Kryetari Ruçi vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe vuri në dukje se miqësia dhe bashkëpunimi politik po “përkthehet” edhe në një bashkëpunim ekonomik në rritje midis të dy vendeve.

”Investimi prej dy miliardë dollarësh për portin e Durrësit është një aspekt i rëndësishëm i këtij bashkëpunimi, i cili pritet të zgjerohet edhe në sektorë të tjerë si bujqësia, energjia, burimet hidrike etj”, tha ai.

Ruçi, falenderoi Emiratet e Bashkuara Arabe edhe për ndihmën për të përballuar pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019, ndihmë e cila u konkretizua nëpërmjet kujdesit të Princit Sheh Mohamed Bin Zayed Al Nahyan.

Emiratet e Bashkuara Arabe ndihmuan me rreth 3.2 milionë euro dhe garantuan rindërtimin e dymijë banesave të dëmtuara nga tërmeti.

Shqipëria, tha Ruçi, i është mirënjohëse Emirateve të Bashkuara Arabe edhe për ndihmën për përballimin e pasojave të pandemisë.

Nën kujdesin e Lartmadhërisë së tij, Sheikh Mohammed bin Zayed al Nahyan, Princ i Kurorës së Abu-Dabit, mbërritën në Shqipëri 7 tonë pajisje mjekësore për përballimin e luftës me COVID-19, ndihmë e cila siguroi 7000 veshje të plota mbrojtëse mjekësore për mjekë, infermierë dhe personel mbështetës.

Ruçi e falenderoi Obaid Alhairi Salem Alketbi edhe për kontributin e tij për çlirimin e Kosovës, nëpërmjet shërbimit si Komandant i Misionit Ushtarak të Emirateve të Bashkuara në Kukës e Kosovë.

Nga ana e tij, Obaid Alhairi Salem Alketbi falenderoi Kryetarin e Kuvendit, Ruçi për pritjen e ngrohtë dhe vlerësimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe vuri në dukje se tashmë është koha që bashkëpunimi ekonomik e tregtar midis të dy vendeve të zgjerohet e intensifikohet.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.