Rindërtohen shkolla fillore dhe kopshti në Perlat të Durrësit

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Shkolla fillore dhe kopshti në Perlat të Durrësit, i rrënuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, janë rilindur për fëmijët e mësuesit, me kushte optimale, pa dallim nga shkollat e kopshtet e komunave evropiane.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe kryetarja e bashkisë Durrës Emiriana Sako, vizitoi sot nga afër punimet që janë kryer në këtë shkollë dhe kopsht.

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, tha se “kjo është një shkollat e ndërtuara nga programi i rindërtimit, pasi u dëmtua me nivel DS4, DS5 pas tërmetit. Ka 80 nxënës së bashku me fëmijët e kopshtit, është krejtësisht moderne”.

Ndërsa kryetarja e bashkisë Sako tha se “më parë kjo shkollë ka pasur klasa të përbashkëta, ku klasa e parë bënte mësim me klasën e tretë, tani me ndërtimin e shkollës së re ky problem është zgjidhur”.

Drejtori i shkollës i dhuroi Kryeministrit Rama një kornizë me dy fotografi nga kjo shkollë, si ishte dhe si është transformuar pas restaurimit.

“Na keni bërë një shkollë të shkëlqyer”, i tha ai Kryeministrit.

Në Durrës do të rilindin 32 shkolla dhe kopshte, më të mëdha, më të bukura dhe me të gjitha kushtet e shkollave e kopshteve kudo në Evropë.

/k.s/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.