Raporti i OSBE/ODIHR, Balla: Më i miri për zgjedhjet në këto 30 vite

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Taulant Balla ka reaguar pas publikimit të raportit final të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.

Balla deklaroi se OSBE/ODIHR në raportin final konfirmon gjetjet e raportit paraprak duke konfirmuar se zgjedhjet e 25 Prillit ishin shprehje kuptimplotë e demokracisë dhe e respektimit të lirisë së zgjedhësve.

Sipas Ballës, Shqipëria merr raportin më të mirë për zgjedhjet në këto 30 vite dhe kjo është një meritë e madhe, mbi të gjithë, e qytetarëve shqiptarë, të cilët ushtruan në shumicë të drejtën e tyre të votës.

“OSBE/ODIHR konfirmon gjetjet e raportit paraprak duke konfirmuar se zgjedhjet e 25 Prillit ishin shprehje kuptimplotë e demokracisë dhe e respektimit të lirisë së zgjedhësve. Shqipëria merr raportin më të mirë për zgjedhjet në këto 30 vite dhe kjo është një meritë e madhe, mbi të gjithë, e qytetarëve shqiptarë, të cilët ushtruan në shumicë të drejtën e tyre të votës në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit. Përgëzime KQZ për vlerësimin e marrë në këtë raport”, ka theksuar Balla. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.