Mjeku Kraja: 9 të shtruar në spital, të pavaksinuar më parë

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Prof. Dhimitër Kraja, mjek në Spitalin Infektiv në QSUT, gjatë mbledhjes së radhës të Komitetit Teknik të Ekspertëve, tha se “të shtruarit në spitalin COVID 1 nuk janë pacientë që janë vaksinuar më parë apo kanë kaluar sëmundjen. Me përjashtim të një rasti, i cili ka bërë vetëm një vaksinë dhe nuk e ka bërë dozën e dytë të vaksinës”.

“Në spitalin COVID 1 të Tiranës ndodhen 9 pacientë të shtruar nga mosha 69-72 vjeç, të cilët kanë këto karakteristika. Gjendja e tyre e përgjithshme është e kënaqshme, pavarësisht se ka diferenca nga rasti në rast”, – tha Kraja.

Sipas tij, vazhdon po ajo situatë epidemiologjike e këtyre rasteve të shtruara.

Prof. Kraja bëri të ditur se “situata është e mirë. Nuk kemi pasur edhe javës që kaloi raste shumë të rënda që quhen kritike, nuk ka pasur vdekje. Pavarësisht se gjendja e shtrimeve reflekton këtë prirje që po ndodh 2-3 javët e fundit të shtimit të rasteve, por nuk reflektohet në format e rënda, ato vdekjeprurëse”.

I pyetur se çfarë protokolli do të ndiqet për rastet që do të vijnë me “Delta” në spital, prof. Kraja u shpreh se “mënyra sesi virusi dëmton trupin, me të cilin merren pastaj mjekët, nuk ka ndryshuar. Ne kemi protokolle mjaft të mençura, të sakta, moderne, sa i përket llojit të medikamenteve, cilësisë së tyre, si dhe kemi një strukturë kompozimi të mjekimit, e cila rezulton dhe është efikase”.

“Në rast se literatura botërore, spitalet dhe klinikat më të mira në botë, të cilat ne i ndjekim rregullisht si ekip do të kenë modifikime të skemave apo medikamenteve, së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë do ti përgjigjemi në mënyrë korrekte dhe të saktë”, – tha prof. Kraja.

/k.s/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.