MASR i bashkohet nismës së dhurimit vullnetar të gjakut në ndihmë të fëmijëve talasemikë

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) i është bashkuar nismës së dhurimit vullnetar të gjakut në ndihmë të fëmijëve talasemikë.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi bën me dije se MASR i është bashkuar thirrjes së Kryqit të Kuq Shqiptar për nismën e dhurimit vullnetar të gjakut në ndihmë të fëmijëve talasemikë.

“Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë iu përgjigj menjëherë thirrjes së Kryqit të Kuq Shqiptar për nismën e dhurimit vullnetar të gjakut, si një mënyrë shumë e mirë për të ndihmuar fëmijët talasemikë në vendin tonë”, shprehet ministrja Kushi.

Ajo falenderoi të gjithë kolegët e MASR për kontributin e dhënë në këtë iniciativë.

Punonjësit e MASR e kanë përqafuar këtë nismë të dhurimit vullnetar të gjakut, si një alternativë e mirë solidare për t’iu ardhur në ndihmë këtyre fëmijëve me plotësimin e nevojave të tyre për gjak të mjaftueshëm dhe të sigurt. Janë rreth 600 fëmijë talasemikë në vendin tonë, të cilët çdo 3 javë duan një flakon gjak për të jetuar normal si gjithë të tjerët.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.