Kalo apel qytetarëve që të vaksinohen: Ul mundësinë e infektimit, respektoni masat

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Mjeku i njohur infeksionist Tritan Kalo u bëri apel sot qytetarëve të vetëndërgjegjësohen dhe të kryejnë vaksinën kundër virusit Sars-Cov2/Covid-19.

Në një reagim pas konfirmimit të variantit “Delta” në Shqipëri, mjeku Kalo shprehet se “nuk është kurrë vonë për t’u përkujdesur për shëndetin tuaj dhe të të gjithë atyre, të cilët gjallojnë rreth jush. Vetndërgjegjësim dhe vetëm vetndërgjegjësim”.

“Hyrja e variantit “Delta” të virusit Sars-Cov2/Covid-19 është në vijimësi të qarkullimit nëpër botë, edhe të varianteve të tjera që prej atij të Wuhan-it, nga ishte pikënisja e kësaj pandemie ose “flame mbarëbotërore”. Masat standarde të stërprovuara ndër dhjetëra vite për uljen e vrullit dhe pakësimin e humbjeve njerëzore, MHD (Maskë, higjienë personale e kolektive, distancim social) nuk e kanë humbur aspak vlefshmërinë e tyre kur dhe aty ku  është e mundur, që ato të zbatohen dhe respektohen”, – theksoi Kalo.

Sipas Kalos, vaksinimi ul mundësinë e infektimit, ndihmon në kalimin më lehtë të sëmundjes, si dhe shmang shtrimet në spital.

Mjeku Kalo shprehet se “nëse mes nesh ka individë ose grupe individësh që ngurojnë të vaksinohen kundër virusit Sars-Cov2/Covid-19, së paku mos u bëni pengues për të tjerët, që ata/ato të përfitojnë nga dobiprurja e procesit të vaksinimit, ulja e mundësisë së infektimit, kalimi i sëmundjes në forma më të lehta si dhe evitimi i hospitalizimeve në forma të rënda të sëmundjes, ose në më të keqen humbjen e jetës prej saj”.

“Në çdo kohë ne jemi për ju në vijën e parë të “luftës me armikun e padukshëm”, që me Punën, Përkushtimin, Profesionalizmin dhe Përkujdesjen tonë t’ju vijmë në ndihmë në përballjen tuaj me infektimin nga virusi Sars-Cov2/Covid-19”, – tha Kalo.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.