TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Ministrat e Drejtësisë të Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë, Chris Philp dhe Etilda Gjonaj, nënshkruan sot në Londër marrëveshjen për Transferimin e të Burgosurve.
Ambasada e Britanisë së Madhe në Shqipëri theksoi sot se, marrëveshja e re do të sigurojë transferime efektive të të burgosurve dhe përfshin dispozita për të rikthyer të dënuarit shqiptarë dhe britanikë për të shlyer dënimin e plotë në vendet përkatëse.
Mbretëria e Bashkuar ka një histori të gjatë bashkëpunimi me Shqipërinë në sistemin e burgjeve dhe sistemin e drejtësisë më gjerësisht.
Bashkëpunimi ka përfshirë projekte për të identifikuar alternativa ndaj dënimeve me burgim, sigurimin e automjeteve për shoqërimin e të burgosurve, si dhe masa të reja sigurie në burgjet e sigurisë së lartë.
Britania e Madhe do të vazhdojë të mbështesë plotësisht sistemin dhe institucionet e drejtësisë.
/j.p/r.e/
