Finalizohet operacioni nën drejtimin e SPAK, në pranga 3 shtetas për ndikim të paligjshëm ndaj zyrtarëve

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ – Sektori për Hetimin e Krimit  Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë nën drejtimin e SPAK ka finalizuar operacionin policor të koduar “Ndërmjetësi”, ku janë vënë në pranga 3 shtetas.

Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në kuadër të Procedimit Penal të vitit 2021, pas një punë intensive disa mujore, finalizoi me sukses operacionin policor “Ndërmjetësi”.

Në kuadër të operacionit u bë ekzekutimi i urdhrave të lëshuar nga Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, e cila ka caktuar masë sigurimi personal “Arrest në burg” ndaj shtetasve:

Gazmend Canaj, 49 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit te paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”;

Admir Burri., 44 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit te paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”;

Neritan Bablusha,52 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”;

Po në kuadër të operacionit u bë ekzekutimi i masës se sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj personave  nën hetim:

B.H, 59 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”;

G.B, 58 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” .

Gjithashtu, u bë ekzekutimi i masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues  “Pezullimi i ushtrimit të detyrës apo shërbimit publik” ndaj personit nën hetim:

Panol At-Nikolla, 39 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë punonjës i Drejtorisë Vendore të ASHK Tirane Rurale 2, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” .

Si dhe u bë shpallja në kërkim policor i shtetasit me iniciale “I.A”, për të cilin Gjykata ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” .

Materialet proceduriale iu kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në ngarkim të shtetaseve të sipërcituar, për veprat penale  “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.