Filmi “Vera andrron detin” garon në Festivalin e Filmit në Venecia

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Filmi “Vera andrron detin”, me skenar nga Doruntina Basha dhe regji të Kaltrina Krasniqit, do të garojë në Festivalin e Filmit në Venecia.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka uruar sot, “shumë urime dhe suksese për grupin realizues dhe kastin e aktorëve të filmit “Vera andrron detin”, me skenar nga Doruntina Basha dhe regji të Kaltrina Krasniqit, që do të garojë në një nga ngjarjet më të mëdha të kinematografisë botërore, Venice Film Festival”.

“Filmi, i cili trajton çështje të prekshme në shoqërinë shqiptare, konkurron në programin “Orizzonti”, në të gjitha kategoritë, për filmin më të mirë, skenarin, regjinë, aktorin dhe aktoren më të mirë, por edhe Çmimin special të jurisë”, tha Margariti.

“Vera andrron detin” është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Film Production) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë”, theksoi ministrja Margariti.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.