E rindërtuar pas shembjes nga tërmeti, shkolla “Bedrie Bebeziqi” në Durrës fiton çmimin “BigSEE Architecture Award 2021”

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Shkolla “Bedrie Bebeziqi” e rindërtuar në Durrës, pas prishjes nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, ka fituar çmimin prestigjioz ndërkombëtar të arkitekturës, “BigSEE Architecture Award 2021”.

Lajmin e dha Kryeministri Edi Rama, i cili është shprehur se, “shkolla “Bedrie Bebeziqi” dje gërmadhë e tërmetit në Durrës, sot fituese e çmimit prestigjioz ndërkombëtar të arkitekturës”.

Në faqen e studios arkitekturore BigSEE theksohet se, “tërmeti më 26.11.2019 shkaktoi dëme të pariparueshme në qytetin e Durrësit. Shkolla Bedrie Bebeziqi ishte njëra prej tyre. Fillimisht, ndërtesa u projektua për qëllime banimi dhe më vonë u vendos të bëhej një objekt arsimor, duke pritur 450 nxënës. Duke mos u projektuar si një objekt arsimor, në radhë të parë, ndërtimi paraqiti disa çështje që duheshin zgjidhur.

Madhësia e vogël e vendit të ndërtimit (745 metra katrorë), afërsia e saj me ndërtesat shumëkatëshe dhe numri i madh i nxënësve (450), ishin disa nga sfidat për t’u adresuar.

Qëllimet kryesore ishin: përshtatja e klasave me drejtim nga jugu, gjetja e një zgjidhjeje për ta shfrytëzuar sa më shumë dhe në mënyrë të dobishme oborrin, si edhe shtimi i hapësirave të nevojshme funksionale për një objekt arsimor të denjë.

Estetikisht, vëllimi i objektit është një gjeometri racionale që ofron unitet të strukturës përmes mbrojtjes nga dielli.

Ngjyrat janë zgjedhur për të krijuar një mjedis të gjallëruar për fëmijët, si edhe për t’i dhënë lagjes një pamje të gëzueshme”.

/j.p//ervo/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.