COVID-19 – Holanda anulon ngjarjet me kohëzgjatje mbi 24 orë

HAGË, 26 korrik /ATSH-AFP/ – Qeveria holandeze njoftoi sot anulimin deri më 1 shtator të të gjitha ngjarjeve dhe festivaleve me kohëzgjatje më shumë se 24 orë, për të shmangur shtimin e mëtejshëm të rasteve COVID-19.

Edicionet e vitit 2021 të festivaleve të muzikës, të njohura ndërkombëtarisht, si Lowlands, Mysteryland dhe Down the Rabbit Hole, të planifikuara për në gusht, janë anuluar.

“Për fat të keq, nuk është e arsyeshme të lejojmë që këto ngjarje të vazhdojnë”, tha kryeministri Mark Rutte, në një konferencë shtypi në Hagë.

“Vendimi u mor në konsultim me sektorin e ngjarjeve”, shtoi Rutte.

Qeveria beson se testimi i vizitorëve çdo 24 orë gjatë një festivali do të ishte logjistikisht shumë i ndërlikuar për t’u organizuar.

Ngjarjet që zgjasnin më shumë se 24 orë ishin pezulluar deri më 13 gusht, por u vendos që ndalimi i tyre të zgjatet deri në fund të verës.

Qeveria ka njoftuar, gjithashtu, një lehtësim të kufizimeve të udhëtimit, si shumica e vendeve në Bashkimin Evropian.

Holanda nuk do të këshillojë më kundër udhëtimit brenda BE-së, nga e marta./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.