AMF: Rritje me mbi 7 % e numrit të kontratave, tregu i orientuar nga sigurimet e jo-jetës

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-qershor 2021 kapën vlerën 8,866 milionë lekë, ose 17.53 % më shumë se në periudhën janar-qershor 2020.

Referuar raportit të publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), gjatë periudhës janar-qershor 2021, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 467,511 me një rritje prej 7.48 % krahasuar me periudhën janar-qershor 2020.

Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.34 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 7.65 %.

Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 42.68 % dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 57.32 % të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar-qershor 2021, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 3,742 milionë lekë, ose 8.3 % më pak se në periudhën janar-qershor 2020, ndikuar kryesisht nga pagesa e konsiderueshme e dëmeve të tërmeteve përgjatë vitit 2020.

Dëmet e paguara bruto nga sigurimi motorik kapën vlerën 2,076 milionë lekë duke pësuar një rritje me rreth 51.13 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.