Rrjeti i dyqaneve tipike “Edua” financuar nga AZHBR, fuqizim i zonjave duararta të Gjirokastrës

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Në qendër të pazarit karakteristik të Gjirokastrës, Manjola ka ngritur dyqanin e prodhimeve tradicionale shqiptare, që ka krijuar treg për një rrjet prej 60 familjesh gjirokastrite, të cilat ruajnë me pasion traditën e zahireve tradicionale.

Dyqanet “E dua” janë një tjetër histori suksesi e mbështetur financiarisht nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, që sot i shërben edhe fuqizimit ekonomik të zonjave duararta të Gjirokastrës.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi gjatë vizitës në qytetin e Gjirokastrës, u ndal në dyqanin organik “edua”, një markë shqiptare, në zemër të pazarit të vjetër.

Ekonomi, u shpreh se, “edua” promovon dhe shet produkte tipike shqiptare, të sjella në dyqan nga fermerët, artizanët e rajonit dhe jo vetëm.

“Disa produkte që mund të gjeni janë: raki, verë dhe pije tradicionale, gliko me gjithë frutat, vaj ulliri, ullinj, produkte bulmeti, drithëra, fruta të thata, zarzavate por edhe recetat tipike të gatimit të zonës për turistët vendas & të huaj”- tha Ekonomi.

Ndërsa Manjola tregon se, ka 4 vjet që punon për të ndërtuar këtë markë dhe çdo vit po shtojmë bashkëpunëtorët e saj, që sjellin në produktet e tyre tradicionale nga të gjitha zonat.

“Kemi një bashkëpunim të veçantë me “Pro Përmetin”, që ka një inkubator të mirëfilltë për prodhimet e bujqësore artizanale, ku prodhuesit e vegjël çojnë produkte e tyre i etiketojnë i certifikojnë dhe ne i marrim në dyqanin tonë në formën që na duhen. Gjithashtu bashkëpunojmë me “AgroPuka”, duke sjellë kështu në dyqanin tonë E Dua, prodhime nga zona të ndryshme të vendit, të cilat janë mjaft të kërkuara nga vizitorët e turistët e huaj”- tha Manjola.

Rrjeti i dyqaneve “E dua”, është shndërruar tashmë në një potencial dhe vlerë eshtuar në nxitjen e prodhimit bujqësor dhe prodhimeve artizanave, që janë mjaft të kërkuara veçanërisht nga vizitorët e huaj duke u bërë kështu vlerë e shtuar në nxitjen e turizmit në vendin tonë. /j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.