Gjenerata e re e transportit publik/ Në gusht nis linja e madhe unazore me 66 stacione

TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama përcolli këtë mëngjes pamje nga flota e autobusëve hibridë që do të hyjnë në shërbim për Tiranën e gjelbër.

“Mirëmëngjes dhe me gjeneratën e re të transportit publik, autobusët hibridë elektrikë që do të hyjnë në shërbim për Tiranën e gjelbër e të pastër, ju uroj një të dielë të bukur”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se në gusht nis linja e madhe unazore 13.2km me 66 stacione.

20 autobusët e parë “Go Green” mbërritën dje në sheshin “Nënë Tereza” dhe brenda muajit gusht do të futen në qarkullim, ndërsa investimi do të kompletohet gradualisht edhe me 22 mjete të tjera.

Linja e gjelbër unazore në Tiranë, miqësore me mjedisin, synon një mbulim të gjerë dhe integrim me rrjetin ekzistues të transportit, duke iu dhënë mundësi qytetarëve që të udhëtojnë në distanca më të gjata me një linjë transporti.

Autobusët e rinj ekologjikë vijnë në kuadër të një marrëveshjeje ndërqeveritare të nënshkruar midis Gjermanisë dhe Shqipërisë për financimin e projektit “Transporti i Gjelbër i Tiranës”. Projekti, bazohet mbi një studim të thelluar fizibiliteti për një sistem të shpejtë autobusësh në Tiranë dhe ka si objektiv kryesor promovimin e një shërbimi transporti urban në Tiranë, i cili të jetë si miqësor me mjedisin dhe klimën ashtu edhe i besueshëm dhe i përballueshëm për qytetarët e kryeqytetit. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.