BELGJIKË – Shirat e rrëmbyer shkaktojnë sërish përmbytje

BRUKSEL, 25 korrik /ATSH-AA/ – Pas katastrofës së përmbytjes në Belgjikë javën e kaluar, qytetet si Namur dhe Dinant në juglindje të vendit përsëri u goditën nga përmbytjet.

Për shkak të reshjeve të mëdha të shiut gjatë ditës së djeshme, përmbytje ndodhën në disa rrugë në qytetin Namur në mbrëmje.

Shumë shtëpi dhe bodrume u përmbytën.

Në pamjet e shpërndara nga banorët e rajonit në median sociale, shihej se si disa automjete zvarriteshin nga ujërat në Dinant.

Krahas bllokimit të disa rrugëve edhe shumë banorë u evakuan.

Ende nuk ka informacione të detajuara në lidhje me dëmet dhe viktima të mundshme të shkaktuara nga përmbytja.

Të paktën 37 persona humbën jetën nga përmbytjet që ndodhën në lindje të Belgjikës javën e kaluar, kur dhjetëra shtëpi u shembën dhe një numër i madh objektesh u bënë të papërdorshme./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.