Shalsi: Forcim i bashkëpunimit me biznesin për zhvillimin e ekonomisë

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi gjatë një vizite në një nga bizneset që operon në fushën e prodhimit vuri theksin në forcimin e bashkëpunimit qeveri-biznes për zhvillimin e ekonomisë së vendit.

“Nisur si biznes nga i ati, i cili me shumë mund e sakrifica, që prej vitit 1991 filloi të importonte mallra nga Turqia, kompania që mban emrin e të birit tashmë ka ndërtuar edhe linjën e saj të prodhimit. Lënda e parë sigurohet në tregun vendas dhe aktualisht prodhon 25 produkte me plastikë të riciklueshme që shpërndaheshin në tregun vendas dhe një pjesë përgatitej për eksport në Kosovë dhe Itali”, tha Shalsi.

Ministri informoi se pandemia kishte shtuar sfidat për biznesin, ndërsa siguroi se qeveria do të vijojë të mbështesë ata.

“Tashmë që Enesit, merakli dhe tejet i përkushtuar i kishte rënë barra të menaxhonte i vetëm për të çuar përpara kompaninë, përpos vështirësive të pandemisë i shtoheshin disa sfida, që i bëmë objekt diskutimi. Jo vetëm shkolla, por eksperienca e punës dhe sidomos shembulli i babait e kanë kalitur dhe përgatitur që të përballojë denjësisht vështirësitë e kohës. Ja vlente ta dëgjoje për çfarë më sugjeroi në ndihmë të nxitjes së prodhimit”, u shpreh ministri.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.