Po transportonin 35 emigrantë, policia arreston dy të rinj

TIRANË 24 korrik /ATSH-I.Vata/-Dy të rinj janë arrestuar në Tiranë pasi janë kapur duke transportuar emigrantë të paligjshëm kundrejt një shume monetare, ndërkohë që bashkëpunëtori i tyre është shpallur në kërkim.

Policia njofton se në kuadër të operacionit ‘CRAFTER 2’, ka arrestuar shtetasit, K. T., 26 vjeç, banues në Elbasan dhe V. M., 23 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.

“Këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë duke tentuar të transportojnë me mjetet e tyre përkatëse, kundrejt shpërblimit monetar, 35 shtetas emigrantë të paligjshëm, nga Tirana drejt qytetit të Kukësit, me qëllim kalimin e tyre drejt Kosovës dhe më pas drejt vendeve të Bashkimit Europian.  Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim policor shtetasi A. Q., 29 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale”, sqaron policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.