PD: 447 milionë euro gjoba e Ramës për familjet shqiptare

TIRANË 24 korrik /ATSH-I.Vata/- Partia Demokratike deklaroi sot se “447 milionë euro, kjo është fatura e Edi Ramës për familjet shqiptare”.

PD ka reaguar lidhur me detyrimet që rrjedhin nga gjyqet e arbitrazhit, ndërsa ka publikuar një deklaratë të kryeministrit Edi Rama i cili shprehet se “ne nuk kemi humbur arbitrazhe”.

“Imagjinoni sa probleme të vogla dhe të mëdha për shqiptarët do të zgjidhte kjo shumë marramendëse, që fatkeqësisht do të kthehet në një peshë për buxhetin e çdo familje, që do të detyrohet të paguajë papërgjegjshmërinë e Edi Ramës. 447 milionë euro nuk do të shkojnë për spitale, shkolla, kopshte, investime në infrastrukturë, ndihmë ekonomike për njerëzit në nevojë, por për të paguar dëmet e shkaktuara nga një pakicë që ka shkatërruar ekonominë dhe po varfëron shqiptarët”, thekson PD.

Gjithashtu, në reagim PD thekson se “në 8 prill 2021 Partia Demokratike ka depozituar në SPAK kallëzimin për çështjen “Becchetti”. Ne presim që ajo të hetohet me përparësi, sepse çdo orë vonesë tashmë përkthehet në një dëm ekonomik të pakthyeshëm për qytetarët”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.