Eksportet bujqësore u rritën me 17%, zgjerohet edhe harta

TIRANË, 24 korrik/ATSH/Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Gent Gazheli zhvilluan një takim me fermerë e drejtues të pikave të grumbullimit.

Ministrja Ekonomi në fjalën e saj vlerësoi punën e mirë që kanë bërë për orientimin e fermerit drejt kërkesës së tregut vendas e të huaj, falë së cilës, tha ajo, kemi një rritje të eksporteve bujqësore me 17 % në 6-mujorin e parë të këtij viti.

“Në këtë 6 mujor eksportet e produkteve bujqësore u rritën me 17% dhe vlera e eksporteve shqiptare ka shkuar 214 milionë dollarë. Është një shifër që duhet t’u bëjë krenarë për punën që bëni çdo ditë. Që nga viti 2017 e deri sot, eksportet bujqësore janë rritur me 27.5% dhe vlera e tyre është 400 milionë dollarë. Sot ne kemi 1700 ha serra në Shqipëri dhe synojmë që këtë sipërfaqe me serra ta shtojmë dhe ta bëjmë të aksesueshme”, u shpreh ministrja.

Ekonomi garantoi fermerët se qeveria do të vijojë me skemat mbështetëse.

“Përveçse lidhni Shqipërinë me tregjet ndërkombëtare apo me tregjet vendase, keni bërë një punë të jashtëzakonshme për të mësuar fermerin shqiptar, se si duhet të qaset në treg, si duhet të zgjedhë kulturën, mënyrën si duhet të bëjë shërbimet, duke u bërë në një farë mënyre edhe përhapësit më të mirë të kulturës bujqësore. Tjetër gjë që ka ndodhur është që harta e eksporteve shqiptare është hapur më shumë. Ne kur filluam këtë punë në vitin 2013, kishim vetëm 59 vende që shkëmbenim. Në vitin 2020, ne kemi 82 vende që shkëmbejmë produktet tona bujqësore. Dhe kjo bëhet sepse, jo vetëm ne prodhojmë produkte të cilësisë së mirë, por ne marrim edhe certifikatat e Global Gap-it, që na ndihmojnë për të arritur atje. Kemi 386 ha që kanë marrë certifikatë Global Gap-i, dhe kjo është bërë falë mbështetjes që kemi dhënë nga Skemat Kombëtare apo nga IPARD-i, por edhe e logjikës tuaj të mençur që me 1 aplikim keni mbuluar disa fermerë që të marrin certifikatën e Global Gap-it”, u shpreh Ekonomi.

Një ndihmë të veçantë në rritjen e eksporteve bujqësore ka dhënë dhe thjeshtimi i procedurave doganore nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.

Drejtori i këtij institucioni Gent Gazheli u shpreh gjatë takimit se një nga këto procedura të thjeshtuara është dhe Statusi i Eksportuesit të Miratuar.
“Nëse një eksportues shqiptar eksporton mallra me vlerë mbi 6 mijë euro ai mund ta vetëdeklarojë certifikatën e origjinës preferenciale për mallrat që eksporton, por kjo duhet të miratohet më parë nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave”, tha Gazheli.

Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Statusi i Eksportuesit të Miratuar i dhënë nga autoritetet doganore i jep eksportuesit avantazhe të tilla si eliminimin e orarit të pritjes në dogana për lëshimin e certifikatës për çdo rast eksportimi, shpejtësi, reputacion më i mirë dhe besim në lidhje me origjinën.
Gazheli i bëri thirrje fermerëve që të aplikojnë online në faqen e e web-it të drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe në portalin e-albania për të marrë statusin e eksportuesit të miratuar, duke mos humbur kohë në zyrat doganore

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.