Dyfishohen eksportet drejt Greqisë, importet me ritme më të ngadalta

eksporte

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Eksportet drejt Greqisë u dyfishuan gjatë gjysmës së parë të këtij viti. ndërsa importet shënuan ritme më të ngadalta rritjeje.

Sipas raportit të tregtisë së jashtme të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), eksportet llogariten mbi 10 miliardë lekë, nga rreth 5.5 miliardë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Vlerën më të lartë të eksporteve e shënuan grupet “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”, ndjekur nga grupi “tekstile dhe këpucë”. Gjatë 6 muajve të parë të këtij viti u eksportuan mbi 3.4 miliardë lekë minerale dhe lëndë djegëse.

Ndërkohë, importet e mallrave nga Greqia në Shqipëri, gjatë periudhës janar-qershor arritën në rreth 27.1 miliardë lekë, kur një vit më parë (2020) u importuan rreth 25.2 miliardë lekë.

Në vlerën e mallrave të importuara nga shteti fqinj, vendin kryesor e zënë grupi i mallrave “ushqim, pije dhe duhan” në vlerën 7.9 miliardë lekë, i ndjekur nga grupi “materiale ndërtimi dhe metale” në vlerën gati 5 miliardë lekë dhe “produkte kimike dhe plastike” në vlerën 4.3 miliardë lekë.

Referuar të dhënave, shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me Greqinë gjatë 6-mujorit zunë 7 % të totalit të gjithë tregtisë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.