Xhaferri për projektin e portit të Durrësit: Deri tani kemi parë vetëm makete

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike në Durrës, Ferdinand Xhaferri tha sot se “PD nuk është kundër projekteve që zhvillojnë qytetin, por deri më tani kemi parë vetëm makete dhe nuk kemi as studime, as transparencë dhe as kuadër ligjor”.

Në një deklaratë për mediet, Xhaferri theksoi se “kemi parë maketin e Ramës dje, darkën me arabët tek restoranti i famshëm i Nusretit të ministrit Ahmetaj dhe plaçkitjen që po i bëhet pa kuadër ligjor kësaj godine, që njihet si godina me xhama (që sikurse shihet edhe e kanë rrethuar)”.

Sipas tij, qytetarët kërkojnë përgjigje nga qeveria për këto problematika dhe njëkohësisht drejtësia e re duhet të veprojë.

Xhaferri bëri të ditur se “dy ditë më parë Kryeministri Rama hodhi për konsum maketin e Portit të ri të Durrësit. Përsëri dhe si gjithmonë pamë një prezantim në 3D. Por nisur nga rëndësi që ka Porti i Durrësit për qytetin dhe gjithë Shqipërinë, ne i kemi kërkuar dhe vazhdojmë t’i kërkojmë qeverisë sqarime për disa çështje: së pari, qytetarët akoma nuk e dinë se mbi çfarë studimi do zhvendoset porti ekzistues, ku do të zhvendoset, kur do të zhvendoset, si do të zhvendoset dhe çfarë kapacitetesh do të ketë? Së dyti, janë disa institucione europiane dhe ndërkombëtare që kanë financuar me kredi ndërtimin e infrastrukturës portuale. Banka Europiane e Investimeve (BEI) ka financuar 17 milionë euro për ndërtimin e kalatës së kontejnerëve. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka financuar 32 milionë euro për terminalin e trageteve. Banka Botërore ka financuar 13 milionë usd për kalatën e përpunimit të grurit”.

“Ndoshta problemi më i vogël është vlera financiare. Problemi madhor ka të bëjë me faktin se Rama po na largon gjithmonë e më shumë nga rruga drejt BE-së. Së treti, çfarë do bëhet me kontratat koncesionare për terminalin e mallrave rifuxho dhe terminalin e pasagjerëve? Aty kemi kompani gjermane që janë me koncesion për 35 vite. Përsëri do paguajmë në arbitrazh papërgjegjshmëritë e kryeministrit?” – shtoi ai.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.