Skema Kombëtare në bujqësi, ulet vija e financimit për 3 masa

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Është rritur edhe me 258 fermerë numri i aplikantëve përfitues në pesë masat e Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësisë dhe Blegtori 2021.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) njofton se ka ulur për herë të dytë sot  vijës së financimit për aplikimet sipas masave mbështetëse të fermerëve dhe sipas listave të shpallura, në përputhje me procedurat e përcaktuara në Udhëzimin “Për kriteret, procedurat dhe mënyrën e administrimit të fondit të programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural” i MBZHR dhe MFE.

AZHBR bën të ditur se, agropikat janë në gatishmëri për dhënie informacioni të aplikantëve të cilët janë brenda vijës së financimit.

Sipas AZHBR-së, numrin rendor i aplikantëve që janë përfshirë mbi vijën e financimit, për

Masa 1: Tufa bazë e matrikulluar – Do të përfshihen në fond aplikimet deri në numrin rendor 1880 nga 1772 që ishte në fazën e parë.

Masa 2: Parqet me koshere bletësh – Do të përfshihen në fond aplikimet deri në numrin rendor 676 nga 666 që ishte  më parë.

Masa 3: Zëvendësim plasmasi në sesa ekzistuese – Do të përfshihen në fond aplikimet deri në numrin rendor 453 nga 313 që ishin në fazën e parë.

Afati i dorëzimit të dokumenteve shtesë për aplikantët që ndodhen mbi vijën e financimit është deri më datë 06.08.2021. Dorëzimi përtej këtij afati do të rezultojë me skualifikim të aplikimit.

Nga ulja e vijë së financimit, herën e parë muajin e kaluar, numri i përfituesve u shtua me 185 fermerë në 5 masa mbështetëse.

Ndërkohë AZHBR po vijon kryerjen e pagesave, subvencion për fermerët e kualifikuar përfitues nga Skema Kombëtare e Mbështetjes për Bujqësinë 2021.

Sipas AZHBR-së, deri tani pagesat dhënë për 70 % të fermerëve përfitues. Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2021, ka të destinuar një fond prej 804 milionë lekë, subvencione për fermerët.

Sipas të dhënave zyrtare janë 3000 fermerë të kualifikuar deri tani përfitues për njërën nga 9 masat që mbështet Skema Kombëtare e këtij viti, ndërsa AZHBR njofton herë pas here për uljen e vijës në listën e përfituesve për secilën masë, që do të thotë rritje e numrit të fermerëve përfitues të këtyre fondeve.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.