Shkolla profesionale në Vlorë, 70 % e maturantëve në tregun e punës

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Ministria e Financave dhe Ekonomisë po punon për të adresuar në mënyrë sistematike punësimin duke riorientuar sistemin e arsimit dhe trajnimit drejt nevojave të tregut të punës.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë , Anila Denaj zhvilloi një vizitë sot në shkollën Profesionale Industriale “Pavarësia” në Vlorë.

Denaj bëri të ditur se, nga 140 maturantë, 70 % e të cilëve janë tashmë pjesë e tregut të punës, pasi përfunduan me sukses ciklin e tyre mësimor në këtë shkollë.

Ajo theksoi se, “rreth 650 nxënës studiojnë në këtë shkollë, e cila ka pasur sukses edhe në tërheqjen e vajzave në profesione”.

“Nga buxheti i shtetit janë rikostruktuar repartet e praktikave profesionale, si dhe është investuar në modernizimin e laboratorëve dhe kabineteve”, bëri të ditur Denaj.

Gjithashtu ajo tha se, “në të ardhmen parashikohet edhe ngritja e një kampusi për t’i shërbyer zhvillimeve të qytetit dhe zbatimit të projekteve të mëdha infrastrukturore”.

Në buxhetin e vitit 2021 për mbështetjen e arsimit profesional janë akorduar 3.3 miliardë lekë. Në të gjithë vendin janë 35 shkolla publike të arsimit profesional dhe janë të regjistruar 27 mijë nxënës.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.